Shkupi mbulohet nga tymi për shkak të zjarrit në Bojanë – autoritetet në terren

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Shkupi sot u mbulua nga tymi dhe ajri i ndotur, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në zonën e fshatit Bojanë të komunës së Sarajit. Sipas autoriteteve ku të gjitha forcat dhe ekipet janë angazhuar në terren për lokalizimin dhe shuarjen e plotë zjarrit.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra për Menaxhim me Kriza, deri në orën 13:00 janë regjistruar gjithsej 14 zjarre në hapësira të hapura, 5 zjarre aktive, 1 nën kontroll kurse 8 janë shuar.

Si çdo ditë tjetër, edhe sot, vatra më problematike vazhdon të mbetet ajo në komunat Studeniçan dhe Zelenikovë, ku zjarri është përhapur në fshatrat Moranë, Vërtekicë, Ramni Gaber, duke u degëzuar në Paligrad dhe Vërzhallë, nga i cili po digjet pyll i përzier. Zjarre aktive raportohen edhe në komunën Makedonski Brod pranë fshatit Dragov Doll dhe Llokvicë, ku digjet vegjetacion i ulët, pyll me trungje të ulëta dhe shkurre. Ndërkohë, dy vatra janë regjistruar në komunën e Ilindenit dhe në fshatin Bujkovc.

Nga Qendra për Menaxhim me Krizat njoftojnë se zjarri në fshatin Tajmishtë të komunës së Kërçovës, është vënë nën kontroll, ndërsa gjatë ditës janë shuar 8 zjarre në Strumicë, Vasilevë, Dellçevë, Kumanovë, Jegunoc, Gostivar dhe Vrapçisht, ku janë djegur kryesisht sipërfaqe me vegjetacion të ulët, mbeturina dhe pyje.

Gjithashtu, autoritetet theksojnë se zjarret nuk rrezikojnë vetëm natyrën, pronën dhe jetën e njerëzve, por të rrezikuar janë edhe kafshët, të cilat shpesh mbeten të pambrojtura përballë flakëve, prandaj duhet të kushtohet përgjegjësi dhe vëmendje maksimale edhe nëse zjarret janë të qëllimshme apo shkaktohet nga pakujdesia, pasojat e tyre prekin të gjitha qeniet e gjalla.

LEXO EDHE:

Back to top button