Asnjë vendim konkret nga mbledhja e Kuvendit Qendror të ASH-së lidhur me zgjedhjet lokale
Asnjë vendim konkret nga mbledhja e Kuvendit Qendror të ASH-së lidhur me zgjedhjet lokale

Kuvendi qendror i Aleancës për Shqiptarët, të udhëhequr nga Arben Taravari ka ngarkuar kryesinë e partisë që të bëjë të gjitha përpjekjet që në zgjedhjet lokale të këtij viti ky subjekt të garojë bashkë me partitë e tjera, pjesë e koalicionit VLEN. Taravari megjithatë tha se nuk hidhen poshtë as opsionet e tjera rezervë.
“Menjëherë prej javës së ardhshme do të organizojmë takim me degët me aktivin tonë politik për ta marrë edhe porosinë prej tyre, çfarë mendon votuesi, jo vetëm anëtari, sepse prej anëtarëve e marrim refleksionin këtu, por na intereson edhe votuesi, sepse sidoqoftë që të vendosim, çfarëdo ndarje që bëjmë, me cilindo qoftë atë ndarje ta bëjmë në fund duhet votuesi ta vlerëson, ta çmon dhe të motivohet të del të voton atë opsion që do ta zgjedh ASH,” deklaroi Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.
Kuvendi i ASH-së ka shqyrtuar ofertën e partnerëve të VLEN-it, të cilët i kanë ofruar Taravarit 35% të Komunave.
“Ato na kanë dhënë këtë ofertë mes deputetëve, ne nuk e dimë ato si e kanë ndarë me veti, ta shohim si është ndarja çfarë merr Besa, LD-ja, Alternativa, kjo është shumë e rëndësishme për ne, gjithashtu edhe ne do të kemi dy ofertat tona, unë mendoj se negociatat patjetër të vazhdojnë të japin maksimumin deri në fund nëse mundemi të arrijmë marrëveshje të përbashkëta për të dalë në zgjedhje si VLEN. Ofertat i përgatit grupi i veçantë që do ta caktojë këshilli drejtues i partisë, do të kemi dy opsione, ndaj VLEN-it dy opsione të mundshme nëse nuk arrijmë, ASH në listën e këshilltarëve do të dale vet si opsion i dytë ndërsa për kryetar të komunave e shohim ku kemi interes me VLEN-in, ku kemi parti tjetër, ku do të kërkojmë përkrahje mundëse edhe prej dikujt tjetër e shohim, por për lista të këshilltarëve nëse s’dalim me VLEN-in së bashku, listat atëherë do të jenë vet,” tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.
Pasi Taravari i zbriti bisedimet nga niveli i liderëve në nivel deputetësh, mbrëmë pas takimeve dhe unifikimit të qëndrimeve edhe me vetë liderët, Mexhiti, Kasami, Ibrahimi dhe Qoku si deputet i pavarur në VLEN i dhanë ofertën e fundit Taravarit. Sipas Qokut, krerët e tjerë të VLEN ofruan 35% të komunave nga pjesëmarrja për në zgjedhjet lokale, duke saktësuar se përtej kësaj oferte, nuk ka më negociim. Kjo përpjekje finale, sipas Qokut, ishte për të ruajtur unitetin brenda VLEN
Propozimi është që tri partitë, LD, Besa, Alternativa të kenë nga tri komuna të sigurta për kandidim dhe të katërtën potencialisht, ndërsa Aleanca për shqiptarët e Taravarit të ketë 4 të sigurta dhe të pestën potencialisht, si dhe duke e privilegjuar ASH-në me dy komuna urbane, që realisht fitohen. Në përqindje, kjo kap kuotën prej 35% të komunave. Komunat e propozuara Aleancës për shqiptarët të Taravarit janë:
- Gostivar,
- Strugë,
- Vrapçisht,
- Njëra prej komunave Likovë/Haraçinë/Studeniçan, dhe
- Njërën prej komunave Bërvenicë/Çashkë.
Po ashtu tri partitë e VLEN kanë rënë dakord që aty ku është kandidati i një partie, ajo të ketë edhe 40% të listës, ndërsa pjesa tjetër e pushtetit lokal të shpërndahet në mënyrë që edhe partitë e tjera të jenë të përfshira (me kryesues të Këshillit Komunal, sekretari të komunës, drejtorë ndërmarrjesh etj.). Me pranimin e këtij propozimi, nga java e ardhshme mund të fillohet me themelimin e shtabeve të përbashkëta të VLEN-it, një mundësi që do të rezultonte në të ardhmen edhe për kohezionin e koalicionit dhe shkrirjen në një parti të përbashkët.
Oferta nga tri partitë e VLEN-it për Taravarin, 35% e komunave
- Gostivar,
- Strugë,
- Vrapçisht,
- Njëra prej komunave Likovë/Haraçinë/Studeniçan, dhe
- Njërën prej komunave Bërvenicë/Çashkë.
Oferta nga tri partitë e VLEN-it për Taravarin, 40% e listës
Aty ku është kandidati i një partie, ajo të ketë edhe 40% të listës, ndërsa pjesa u takon partive të tjera, me kryesues të Këshillit Komunal, sekretar të komunës, drejtorë ndërmarrjesh etj.
Ndërkohë në Kuvendin e sotëm të ASH-së, Taravari promovoi Isen Shabanin si prurje në parti duke thënë se tashmë ASH-ja menaxhon me dy Komuna, atë të Gostivarit dhe të Vrapçishtit. /alsat.mk