Autobusët privatë u kyçën në transportin publik
Autobusët privatë u kyçën në transportin publik

Gazetar: Avni Tahiri
Transportuesit privatë nga sot u rikthyen në shërbim të qytetarëve të Shkupit të cilët shfrytëzojnë transportin publik, shkruan Alsat.
Pas marrëveshjes së arritur për rritje të çmimit në 100 denarë për kilometër, mbi 80 % e transportuesve privat qarkullojnë sipas orarit të caktuar ndërsa pritet që të kyçen edhe autobusët e tjerë të cilët për shkak të financave nuk janë rikthyer në qarkullim.
Qytetarët druajnë se rikthimi i autobusëve privatë nuk do të zgjasë shumë dhe se mund të rikthehet përsëri kaosi dhe pritja për autobusë.
“Nuk është siç ishte më herët por nëse nuk janë ato privat ndodhë e njëjta. Rrëmuje dhe pritje nga 20 minuta apo gjysmë orë. Transportuesit u rikthyen sot? Po u rikthyen, tani erdha me atë privat me 45-en. Me ato privat është ndryshe, 23-shi mungon shumë”, tha një qytetar.
“Autobusët nga dita e sotme ia nisen të vozisin por se deri kur do të zgjasë do të shohim. Ne duam të ketë çdo ditë por do të shohim”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Nuk duhet ta bëjnë atë me autobusët privat, ata kanë dhënë para ndërsa për ata shtetërorë, shteti ka dhënë para. Është e turpshme atë që ua bëjnë atyre privat”, theksoi një qytetar.
“Nuk është siç duhet, për momentin prita shumë, për në Butel, 57 – të, prita gjatë dhe janë të rralla”, tha një qytetare.
Transportuesit privatë me kapacitet të plotë do të qarkullojnë pas shlyerjes së borxhit që u ka NQP-ja dhe për të cilin presin që të zhbllokohet llogaria e kompanisë.
Ata do të presin edhe një muaj për rritjen e çmimit për kilometër, deri në të cilin duhet të bëhet një analizë nga një grup ekspertësh që do të përcaktojnë çmimin./ Alsat.mk