Vesna Dameva dha dorëheqje të parevokueshme, tha se është përballur me presione

Vesna Dameva dha dorëheqje të parevokueshme, tha se është përballur me presione

Gazetar: Mihaillo Donev

Vesna Dameva, kryetarja e Këshillit Gjyqësor dha dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë. Gjatë arsyetimit të vendimit të saj, Dameva ndër tjera, si arsye përmendi presionin politik në këshill nga kryeministri Mickoski dhe garnitura në pushtet.

“Dhe në kohën kur nuk ka gatishmëri për përmirësimin e situatës në gjyqësor dhe e njëjta pengohet nga pushteti, dhe në mënyra të ndryshme, edhe kryeministri por edhe politikanët nga garnitura në pushtet, nga foltorja e parlamentit apo pres qendrat shprehin qëndrim negativ për Këshillin Gjyqësor, ndaj anëtarëve të Këshillit, por më shqetësuese nga të gjitha është se ata shprehin qëndrim negativ ndaj gjykatësve, shumica e të cilëve realisht nuk e meritojnë. Mendoj se e vetmja gjë që më ka mbetur është ta mbroj integritetin tim personal dhe paqen dhe qetësinë time dhe të familjes sime, prandaj jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut”, tha Vesna Dameva, kryetare e sapodorëhequr e Këshillit Gjyqësor.

Për Damevën, është shqetësuese që Mickoski nga foltorja e parlamentit ka thënë se në Këshill ka klane dhe falsifikohen procesverbale, andaj i ka bërë thirrje që dëshmitë t’i dorëzojë në prokurori. Sipas Damevës, qeveria e udhëhequr nga kryeministri po bën gjithçka për ta dëmtuar integritetin e saj dhe integritetin e Këshillit.

“Në disa raste ai, por edhe politikanët e pushtetit aktual, janë drejtuar me qëndrime negative për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, për lidhjen e tyre me politikanë të caktuar të pushtetit të kaluar, dhe e gjithë kjo për të paraqitur para opinionit se unë apo anëtarët e Këshillit nuk i kemi kryer detyrat tona me profesionalizëm, ndërgjegje dhe përgjegjësi, ndërsa Këshilli Gjyqësor, së bashku me Këshillin e Prokurorëve Publikë, ishin theksuar si organe që duhej të shpërndaheshin”, u shpreh Vesna Dameva, kryetare e sapodorëhequr e Këshillit Gjyqësor.

Sipas saj, qëllimi i Mickoskit me këtë ka qenë që të emërojë njerëzit e tij në Këshill. Krahas Mickoskit, Dameva e ka drejtuar gishtin edhe drejt deputetit Antonio Milloshoski, për të cilin tha se ka guxuar të kërcënojë për përgjegjësi penale atë si bartëse të funksionit publik si dhe e ka akuzuar se në mënyrë të kundërligjshme dëshiron ta vazhdojë mandatin në këshill. Dameva është zgjedhur kryetare e Këshillit Gjyqësor më 5 dhjetor dy vite më parë. Pozitën e ka mbajtur deri më 26 prill të vitit të kaluar kur është shkarkuar dhe më pas me vendim të Gjykatës Administrative më 4 janar të këtij viti është rikthyer në këtë pozitë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button