Autoritetet konfirmojnë incidentet në veri të Kosovës

Në ditën e gjashtë të bllokadës në pikat kufitare në veri të Kosovës janë shënuar dy incidente që lidhen me masën e reciprocitetit për targat. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nga persona ende të dyshuara është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e Komunës në Zubin Potok dhe po ashtu është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.

Në lidhje me: Serbët djegin Qendrën e Regjistrimit në Zubin Potok, hedhin granata dore edhe në Zveçan

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Ministri Slevçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak
Për të gashtën ditë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara.

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.

“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.

Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.

“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

LEXO EDHE:

Back to top button