Autoriteti i Dosjeve: Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit

Autoriteti i Dosjeve: Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit

Autoriteti i Dosjeve konfirmon që ish-Presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor me Sigurimin e Shtetit në kohën e diktaturës komuniste.

Në kërkesën që i ka dërguar Kuvendit për miratimin e disa ndryshimeve ligjore, ku Autoriteti kërkon që të ketë mundësi të riverifikojë figurat që janë pajisur më parë me certifikatë të pastërtisë së figurës, konfirmon se emri i Metës ka rezultuar në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucionin tonë mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit, siç është Presidenti i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”, thuhet në komunikatën e Autoritetit të Dosjeve, drejtuar Kuvendit.

Një ditë më parë, ish-zëdhënësi i Metës, tani bashkëpunëtor në Partinë e Lirisë, Tedi Blushi, reagoi duke i lënë Autoritetit barrën e provës, si dhe ironizoi faktin se Autoriteti e publikoi njoftimin dhe ftesën për ndryshime ligjore një ditë pasi Meta u rikthye në politikë./A2CNN

LEXO EDHE:

Back to top button