Autoriteti palestinez shtyn mbajtjen e zgjedhjeve

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha të premten se fraksionet kryesore politike kanë rënë dakord të shtyjnë mbajtjen e zgjedhjeve të planifikuara për 22 maj. Këto ishin zgjedhjet e para të planifikuara në 15 vjet, shkruan REL.

Abbas përmendi si arsye një mosmarrëveshje me Izraelin për votimin në Jerusalemin lindor. Vendimi kursen partinë Fatah të Abbasit nga një humbje e thellë që pritej të pësonte nga grupi militant islamik Hamas.

Vendimi do të mirëpritet në heshtje nga Izraeli dhe vendet perëndimore, të cilat e shohin Hamasin si një grup terrorist dhe janë të shqetësuara për forcën në rritje të tij.

Por, vendimi për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lë në udhëheqje një strukturë politike që nuk ka arritur të përparojë shpresat palestineze për shtetësinë dhe shihet si gjithnjë e më e korruptuar dhe autoritare, raporton AP.

Shtyrja e votimit me arsyetimin e votimit në Jerusalemin lindor mund të shihet si një preteks, pasi vetëm një numër i vogël i votuesve në qytet do të kërkonin në të vërtetë lejen e Izraelit për të votuar dhe votat e tyre nuk do të kishin ndonjë efekt në rezultat.

Abbas tha se mori një letër nga Izraeli të enjten në të cilën thuhej se nuk mund të merrte një pozicion për zgjedhjet, sepse ende nuk ka një qeveri pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Grupi islamik militant Hamas, kishte hedhur poshtë më parë idenë e shtyrjes së tyre.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi vendimin e presidentit palestinez Mahmud Abbas për të shtyrë zgjedhjet.

“Vendimi për të shtyrë zgjedhjet e planifikuara palestineze është thellësisht zhgënjyese”, tha Borrell në një deklaratë, duke kërkuar që një “datë e re për zgjedhjet të caktohet pa vonesë”.

Izraeli okupoi Jerusalemin lindor, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën, në luftën e vitit 1967. Këto territore palestinezët i duan për shtetin e tyre të ardhshëm.

Sipas marrëveshjeve të përkohshme të paqes të arritura në vitet 1990 – të cilat u refuzuan nga Hamas – rreth 6.000 palestinezë në Jerusalemin lindor dorëzojnë fletët e tyre të votimit përmes zyrave postare të Izraelit. Rreth 150.000 të tjerët mund të votojnë me ose pa lejen e Izraelit.

LEXO EDHE:

Back to top button