Autostrada Kërçovë-Ohër mund të harxhojë më shumë fonde, shumën nuk e parashikon as Boçvarski

Autostrada Kërçovë-Ohër mund të harxhojë më shumë fonde, shumën nuk e parashikon as Boçvarski

Gazetar: Miki Trajkovski

A do të shpenzohen më shumë para për autostradën e re Kërçovë-Ohër? Ministri Bllagoj Boçvarski nuk është i sigurt. Kontrata e fundit me kompaninë kineze “Sinohidro” ka arritur në 598 milionë euro. Qytetarët me vite presin përfundimin e autostradës që filloi të ndërtohet në vitin 2014. Ministri shpreson që punimet të përfundojnë në afatin e paraparë, përkatësisht në fund të këtij viti, por i pyetur nëse ky do të jetë çmimi i fundit, ai u shpreh:

“Aktualisht kemi çmim të dakorduar, nuk mund të paragjykoj çmim më të ulët apo më të lartë. Mund të them atë që e kemi si marrëveshje mes shtetit dhe kontraktuesit”, tha Bllagoj Boçvarski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Çdo dimër autoritetet presin përmirësimin e motit për t’u intensifikuar punët në terren.

“Pres që punimet ndërtimore të vazhdojnë me ritëm të shtuar gjatë këtij viti, sigurisht me përmirësimin e kushteve të motit”, u shpreh Bllagoj Boçvarski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Kushtet e motit këtë dimër ishin ideale për punë sepse nuk kishte borë. Ndërkohë, ngecje kishte edhe në shumë akse të tjera rrugore. Për shembull, zyrtarët e BDI-së vazhdimisht e premtojnë, por autostrada Shkup – Bllacë, e cila po ndërtohet jashtëzakonisht ngadalë, ende nuk është realizuar. Prej vitesh është paralajmëruar rindërtimi i rrugës Podmolje – Strugë – Qafëthanë, me gjatësi prej vetëm 19 kilometra. Punimet atje kanë nisur disa muaj më parë e më pas janë ndërprerë. Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi, një ditë më parë bëri të ditur se punimet do të përfundojnë deri në shtator. E pyetëm ministrin Boçvarski se sa real është ky premtim, por nuk dha përgjigje të qartë.

“Çdo rehabilitim dhe rindërtim është i rëndësishëm për Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qeverinë”, theksoi Bllagoj Boçvarski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Derisa në Shqipëri po punohet në mënyrë intensive për lidhjet moderne rrugore, siç është nga Pogradeci në Shën Naum apo nga Elbasani në Qafëthanë, në Maqedoni gjërat thuajse nuk lëvizin nga vendi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button