Prodhuesit “kërcënojnë” me rritje të çmimeve!

Prodhuesit “kërcënojnë” me rritje të çmimeve!

Gazetar: Adnan Qaili

Prodhuesit e industrisë ushqimore “kërcënojnë” me rritje të reja të çmimeve nga 1 marsi. Ky reagim erdhi pas njoftimit të ministrit Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili në Magazinën Ekonomike në Tv Alsat tha se në seancë qeveritare do të kërkojë shfuqizim të plotë të subvencionimit për rrymën deri në fund të shkurtit, si për ata që nuk kanë respektuar marrëveshjen për ulje të çmimeve për 10% ashtu edhe ata që pjesërisht ulën çmimet e prodhimeve të tyre. Lidhja e Odave Ekonomike mbështet prodhuesit, të cilët nuk heqin dorë nga ulja e fitimeve të tyre në kurriz të rrjepjes së qytetarëve.

“Ka stagnim të çmimeve të lëndës së parë por ulja është në përqindje të vogël, këto janë kosto kyçe që formojnë çmimin final të prodhimit. Rryma ndikon në 10%, në disa biznese 7% në të tjera 13%, ne marrim vlerën mesatare me 10%. Por kyçe në çmimin final janë lënda e parë dhe resurset njerëzore. Kjo do të thotë se puna njerëzore është shtrenjtuar dhe çdo kompani do të bëj analizat e veta. Nuk do të paragjykoj por mund të ndodh që të ketë rritje të çmimeve”, tha Goran Georgievski, Oda e furrtarëve.

Energjia elektrike e subvencionuar mund të shfuqizohet vetëm për ato kompani që nuk kanë ulur çmimet, jo për të gjithë, thonë nga Oda e Furrtarëve. Ata thonë se rryma në koston finale ndikon 10%, fuqia punëtore 35% dhe lënda e parë 45%. Kjo është arsyeja e prodhuesve për mosuljen e çmimeve, por kjo nuk i amniston nga që lëndët e para në bursën botërore janë ulur ndjeshëm.

“Përveç subvencionimit të rrymës, që thamë se ishte hap fillestar për ulje të çmimeve, diku rreth 10%, më tej mundej të aktivizohej një pjesë e rezervave të magazinave të shtetit. Kjo është praktikuar në Serbi, për prodhimet bazë për tu ardhur në ndihmë qytetarëve ata për këto produkte dhanë miell me çmim të subvencionuar që ka ndikuar në uljen e lartë të çmimit final”, theksoi Goran Georgievski, Oda e furrtarëve.

Nga sektori civil ku bëjnë pjesë disa organizata për mbrojtjen e konsumatorëve bëjnë thirrje që nëse rriten sërish çmimet e produkteve ushqimore nga 1 marsi të fillohet me bojkot nga vetë qytetarët. Ata i referohen modelit të fqinjit jugor, ku në Greqi për dy javë u bojkotuan prodhimet e qumështit duke mos u blerë. Në Maqedoni, ata bëjnë thirrje që të bojkotohen prodhimet e bukës, mishit dhe qumështit, deri sa atyre tu skadojë afati në raftet e marketeve, për tu dhënë mesazh se pa fuqi blerëse, prodhimi i produkteve ushqimore do të ishte i panevojshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button