Autostrada Shkup-Bllacë temë diskutimi edhe në ribalancin e buxhetit
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Autostrada Shkup – Bllacë ishte temë debati edhe në Komisionin për Financa dhe Buxhet e ku diskutohet ribalanci i buxhetit. Deputeti i LSDM-së Mitko Trajçuleski përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjeve por kritikoi pushtetin se nuk kanë siguruar asnjë denar nga ribalanci i buxhetit për këtë autostradë. Të hollat siç tha Trajçuleski, janë siguruar nga Qeveria e kaluar.
“Dhe thoni se do të sigurojmë të holla për këtë çështje, jo paratë janë siguruar për këtë. Dy vite i harxhuat për një farë ri-projektimi të trasesë. Pra komplet financimi është siguruar”, u shpreh Mitko Trajçuleski nga LSDM.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov arsyetohet se vonimet ndodhën pasi njerëz të afërt me BDI-në kanë blerë toka aty ku është dashur të kalojë traseja.
“Shtatë vjet, shefi nën hije i Qeverisë, Artan Grubi nuk e ka ndërtuar pasi aty ku është dashur të lëvizë kjo autostradë, axha, daja, vëllau nga BDI dhe nga Çairi kanë blerë toka me qëllim që shteti ti shpërblejë. Për këtë shkak nuk është ndërtuar kjo autostradë. Kjo është fakt. Tregoi zv.kryeministri Nikolloski në foltore, askush nuk e demantoi por heshtët”, tha Prenxhov.
E nëse kjo është e vërtetë, Trajçuleski kërkoi që të njëjtit të përgjigjen.
“Nëse janë me emër e mbiemër dhe nëse kanë bërë keqpërdorime, ju e keni pushtetin e plotë në duart tuaja. Ja le të japin llogari ata njerëz. Nëse luftojmë për shtet të së drejtës, ja këta njerëz le të përgjigjen nëse me të vërtetë ka qenë ashtu”, tha Trajçuleski.
“Për këtë është dorëzuar kallëzim. Për këtë shkak ju thërras që së bashku të shkojmë në Prokurori dhe të pyesim se deri ku janë këto krime të cilat ju i keni bërë bashkë me BDI-në”, porositi Prenxhov.
Dy vite më parë ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski, para deputetëve në Kuvend akuzoi se kompani të afërta me BDI-në kanë blerë qëllimisht toka në vendet ku është paraparë të kalojë autostrada nga Shkupi deri në Bllacë, me qëllim që pastaj të përfitojnë nga shpronësimi. Nikollovski përmendi publikisht emrat e kompanive megjithatë nga BDI mohuan të kenë çfarëdo lidhje me kompanitë në fjalë. Nikollovski gjithashtu pati akuzuat ish drejtorin e Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemin se qëllimisht dy herë ka ndryshuar projektin dhe kjo ka shkaktuar rritjen e çmimit të realizimit nga 170 në 240 milion euro. Megjithatë, këto akuza asnjëherë nuk patën një përfundim nga ana e Prokurorisë Publike. /Alsat.mk








