Avokatja Slaveska: Toni Sali i kishte plotësuar të gjitha kushtet për të marrë numër amëze

19-vjeçari Toni Sali, i cili vdiq së fundmi pa qenë në gjendje të merrte numër personal, kishte një vëlla dhe motër, nga të njëjtët prindër, që kishin numrat e tyre personal. Informacioni u nda me publikun nga avokatja Tamara Slaveska Apostolski në pjesëmarrjen e saj në emisionin “200” në Alsat. Sipas saj, vëllai dhe motra e tij kanë lindur në Serbi, ku nuk kishin asnjë pengesë ligjore për të marrë numrat personal.
Toni lindi si fëmija i tretë në këtë komunitet. Ai ka një vëlla dhe motër më të mëdhenj, të lindur në vitin 1996/1998 në Serbi dhe të njëjtët fëmijë regjistrohen me sukses në evidencë, duke deklaruar të dhëna për prindërit e tyre biologjikë. Autoritetet serbe nuk problematizuan asnjë rrethanë që të bëhej ky regjistrim. Të njëjtat rrethana që vlejnë për Tonin, kanë vlejtur edhe për vëllain dhe motrën e tij. Dallimi është se Toni ka lindur në Shkup. Toni kishte prindër të gjallë, me dokumente të rregullta dhe ka lindur në kushte spitalore. I ka plotësuar të gjitha kushtet për t’u regjistruar në evidencën amë,” tha avokatja Slaveska.
Toni, për shkak se nuk kishte numër personal, nuk mund të kishte as mjek amë, e as të merrte ndihmë sociale. Familja e tij është e varfër, kështu që nuk mundi të mjekohej privatisht.