”Avullojnë” biletat, mbi 70 mijë tifozë “kuqezinj” priten në “San Siro”

Me Interin që po përgatitet të qepë yllin e dytë në gjoks, Milani synon t’ua prishë festën e titullit për të paktën një javë “kushërinjve” zikaltër. Prandaj do të jetë një “San Siro” i mbushur plot e përplot, me biletat e shitura tërësisht për ndeshjen e së hënës së 22 prillit.

Më saktësisht, do të jenë mbi 77 mijë spektatorë të pranishëm në këtë derbi të Madoninës, shkruan “Gazzetta dello Sport”, nga të cilët rreth 70 mijë do të jenë tifozë kuqezinj. Një shtytje e publikut për të ekzorcuar fantazmat e së shkuarës, duke qenë se Milani i ka humbur të pesë derbet e fundit ndaj zikaltërve.

Për momentin janë 14 pikë që i ndajnë dy skuadrat milaneze në renditjen e Serie A. Nëse Interi kryesues do ta ruante diferencën midis 13 dhe 15 pikëve ndaj kuqezinjtë, atëherë titulli do të ishte i mundur matematikisht vetëm me një fitore kundër skuadrës së Stefano Piolit në derbin e 22 prillit.

Megjithatë, nëse diferenca do të zgjerohej nga 16 deri në 18 pikë, atëherë edhe një barazim do të mjaftonte për të besuarit e Inzaghit në derbi. Një skenar, ky i fundit, i cili do të realizohej vetëm nëse kuqezinjtë do të merrnin vetëm një pikë në dy ndeshjet e ardhshme, me Leçe në shtëpi dhe Sassuolo jashtë, dhe Interi përfitonte plotësisht ndaj Udineze dhe Kaljarit.

LEXO EDHE:

Back to top button