Azeski: Agjenda e gjelbër po rrit çmimin e rrymës elektrike

Pavarësisht nga pasojat e pandemisë, furnizimi me energji elektrike në vitet e ardhshme do të jetë një çështje me të cilën do të merremi 24/7, parashikon kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, përcjell Alsat.

“Këto ditë jam i mbingarkuar me letra nga kompanitë anëtare të odës, të cilave u anulohen kontratat e furnizimit, të cilat janë të nënshkruara siç duhet, të dakorduara në kohë, gjë që shkel parimin bazë të punës sonë, dhe kjo është parashikueshmëria. Rritja enorme e çmimeve të lëndëve të para në periudhën e kaluar, por edhe rritja e elementeve input që krijojnë çmimin e prodhimit të energjisë elektrike janë kapsula fillestare për çmimet aktuale të bursës që arrijnë 185 euro për megavat në orë”, deklaroi Azeski.

Azeski thekson se çmimi i energjisë elektrike në Bursën e Energjisë në Budapest (HUDEX) për 12 muajt e fundit është rritur, nga 57 euro për megavat orë më 1.01.2021, në 138 euro për megavat orë më 27.09.2021. Sipas të gjitha informacioneve përkatëse, arsyeja për këtë është: agjenda e gjelbër në Evropë dhe zvogëlimi i energjisë së prodhuar nga qymyri, prodhimi relativisht i ulët i energjisë nga era në Evropë, rritja e shpejtë e tregjeve në tremujorin e kaluar dhe rritja e madhe në çmimet e gazit natyror në tregjet botërore.

“Informacionet tona të brendshme thonë se nuk ka probleme me furnizimin me gaz, sepse kontratat janë të vlefshme deri më 1.1.2022, gjë që garanton stabilitet deri në fillim të vitit të ardhshëm. Ndryshe, çmimi i gazit në vendin tonë për momentin është 4 herë më i ulët se çmimi i gazit në Evropë, i arritur në tre ditët e fundit në Bursën Hollandeze”, pohoi Azeski.

LEXO EDHE:

Back to top button