Aktakuzë e re për Ramiz Merkon – akuzat lidhen me rrënimin e shtëpisë së Vlado Maleskit në Strugë

Një vit pasi u rrënua shtëpia përkujtimore e Vlado Maleskit, autorit të himnit maqedonas, Prokuroria Themelore Publike e Strugës sot ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 6 personave për veprën penale dëmtim ose shkatërrim të të mirave nën mbrojtje të përkohshme ose trashëgimisë kulturore. I akuzuar është edhe kryetari i atëhershëm i Strugës, Ramiz Merko, i cili kishte nxjerrë lejen me të cilën, në kundërshtim me Vendimin e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i kishte lejuar të akuzuarit të parë, përveç përdhesës dhe katit, të ndërtonte edhe bodrum në objekt. I akuzuari i parë në këtë rast është menaxher i një kompanie ndërtimore nga Veleshta, i cili si investitor dhe kryerës i punimeve për rrënimin e një objekti, ishte i obliguar me vendim të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të përgatiste projekt ideor me mënyrë të përcaktuar rreptësisht për rrënimin, duke pasur parasysh se objekti i përmendur ndodhej në afërsi të drejtpërdrejtë dhe ndante një mur ndarës dhe konstruksionin e çatisë me shtëpinë e vjetër të mbrojtur të Strugës, të Vlado Maleskit.

“Megjithatë, edhe pse ishte i obliguar, ai përgatiti vetëm projektin kryesor pa përcaktuar mënyrën e rrënimit të objektit të vjetër, ndërsa pas rrënimit të tij në të njëjtën parcelë filloi ndërtimin e një objekti të ri me bodrum, përdhesë dhe kat. Duke gërmuar për hapësirat e bodrumit të objektit të ri, i akuzuari kreu një gërmim të gjerë me ekskavator, me çka e minoi murin e përbashkët ndarës mes dy objekteve, gjë që çoi në destabilizimin dhe rrënimin edhe të shtëpisë nën mbrojtje si trashëgimi kulturore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike e Strugës.

Një inxhinier ndërtimi dhe një arkitekt nga Sektori për Urbanizëm pranë Komunës së Strugës akuzohen se e kanë përgatitur dhe miratuar lejen e ndërtimit, pa qenë i bashkëngjitur edhe projekti ideor për rrënimin e objektit të mëparshëm në parcelë, me çka i kanë ndihmuar të akuzuarit të parë ta kryejë veprën penale. E akuzuar për ndihmë ndaj të akuzuarit të parë është edhe një arkitekte – konservatore në Institutin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeun – Ohër. Me veprimet e të akuzuarve, më 15.10.2025, në rrugën “Braqa Milladinovci” në Strugë ishte dëmtuar shtëpia e vjetër e Strugës, e shpallur si trashëgimi kulturore me rëndësi.

LEXO EDHE:

Back to top button