Badenteri, BDI dhe ASH s’komentojnë Mickoskin
Badenteri, BDI dhe ASH s’komentojnë Mickoskin
Gazetare: Fatlume Dervishi
Deklarata e kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i cili u shpreh i gatshëm për ndryshime kushtetuese në pako, duket se ka gjetur të papërgatitura partitë politike shqiptare. Mickoski një ditë më parë tha se është i gatshëm të bisedojë për heqjen e “20 përqindëshit” nga Kushtetuta, por edhe heqjen e parimit të badenterit dhe balancuesit si dhe ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore. Partitë shqiptare ishin deklaruar “pro” heqjes së përkufizimit “20%” por jo edhe për badenterin. Edhe pse kërkuam të komentojnë deklaratën e Mickoskit për badenterin, nga BDI-ja na dhanë përgjigje tjetër.
“BDI-ja përshëndet gatishmërinë e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për zëvendësimin formal të formulimit 20% nga Kushtetuta e vendit me gjuhën shqipe, me ç’rast do të konstatohet situate ekzistuese faktike”, thonë nga BDI-ja.
Të njëjtën gjë e bënë edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Edhe përgjigja e tyre u fokusua vetëm në përkufizimin e gjuhës në Kushtetutë.
“Gjuha shqipe është gjuhë shqipe dhe si e tillë duhet të qëndrojë edhe në Kushtetutë. Ky është përkushtimi jonë më i rëndësishëm për momentin”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Kreu i Besës Bilall Kasami vlerëson se duhet të ketë mekanizma që do të parandalonin diskriminimin në baza etnike.
“Sigurisht për ne është çështje që mund të diskutohet nëse kemi mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit sepse në Maqedoni badenteri është vendosur si mekanizëm mbrojtës i komuniteteve joshumicë. Nëse ka zgjidhje më të mirë se badenteri patjetër se ne mund të flasim që ajo të zbatohet”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i lëvizjes Besa.
Më herët, zv/kryetari i Besës, Arjanit Hoxha tha për Alsat se nëse tema e ndryshimeve kushtetuese shndërrohet në pazar politik, atëherë edhe Mickoski por edhe partitë tjera maqedonase duhet të jenë të përgatitur për të hapur edhe shumë tema tjera që do avanconin të drejtat e shqiptarëve në nivel të shtetit binacional pasi që edhe numrat e regjistrimit të popullsisë tregojnë këtë realitet shoqëror të vendit.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Mickoski, një ditë më parë për Alsat, deklaroi se është koha për ndërtimin e një shteti qytetar, pa kuota përfaqësimi në baza etnike.
“Badenteri dhe balancuesi kur u futën ishin në një kohë kur e kishin vlerën e tyre përdoruese, që bashkësitë joshumicë të mbrohen nga politikat e këqija të bashkësisë shumicë. Nëse ne tashmë e kemi tejkaluar atë, nëse nuk ka më një rrezik ose kërcënim të tillë se bashkësia etnike shumicë mundet të ketë ndikim negative mbi bashkësitë më të vogla etnike atëherë, pse na duhen këto dy mekanizma badenteri dhe balancuesi kur tashmë e lëshojmë Marrëveshjen kornizë të Ohrit me këtë ndryshim të cilin e kërkojnë partitë politike? Atëherë le të flasim për gjithçka”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Badenteri është kategori kushtetuese e vendosur me Marrëveshjen e Ohrit me të cilën sigurohet mbështetja me votim të dyfishtë nga ana e deputetëve nga komunitetet joshumicë në Kuvend për ligjet sistematike që prekin interesat e komuniteteve. /Alsat.mk








