Bajern Munihu humb Nojerin përmes lëndimit, mësohet koha e rikuperimit

Pas triumfit të shkëlqyer të arritur kundër rivalëve të Bajer Leverkuzen, në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Ligës së Kampionëve, Bajern Munih mori një lajm të keq që lidhet me Manuel Nojer.
Kapiteni i skuadrës së Vinsent Kompani doli nga fusha në minutën e 59-të për shkak të një dëmtimi, duke u zëvendësuar nga 21-vjeçari Jonas Urbig. Klubi lëshoi sot një komunikatë në lidhje me gjendjen e tij:
“Manuel Nojer pësoi një këputje muskulore në pulpën e djathtë gjatë fitores 3-0 ndaj Bajer Leverkuzen në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të mërkurën në mbrëmje. Diagnoza është konfirmuar nga ekipi mjekësor i FC Bajern. Portieri do të jetë jashtë fushave për një periudhë të pacaktuar”.
Sipas asaj që raporton “Sky Sport DE”, rikthim i 38-vjeçarit para pushimit (për kualifikueset e kombëtareve, 18-26 mars) është momentalisht i pamundur. Kështu, ai pritet të humbasë jo vetëm ndeshjen e kthimit kundër Leverkuzenit, por edhe sfidat e Bundesligës kundër Bohumit, Union Berlinit dhe Sent Paulit.
Megjithatë, sipas vlerësimeve, ai duhet të jetë i gatshëm për rikthim të mundshëm në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Një lajm që mund të jetë i rëndësishëm edhe për Interin, në rast se skuadra e Simone Inzagit kualifikohet.
Pikërisht mbrëmjen e djeshme, portieri gjerman luajti ndeshjen e tij të 150-të në këtë kompeticion, duke u bërë lojtari i katërt në histori që e arrin këtë shifër. Ai tashmë është në ndjekje të emrave të mëdhenj të historisë moderne si Kristiano Ronaldo (178 ndeshje), Iker Kasiljas (176) dhe Lionel Mesi (150).