Si festohet muaji i Ramazanit në Iran? Tregon regjisori nga Tetova

Si festohet muaji i Ramazanit në Iran? Tregon regjisori nga Tetova

Gazetare: Ilmie Zhaku

Muaji i Ramazanit për të gjithë besimtarët musliman është muaji i përkushtimit, reflektimit dhe solidaritetit, megjithatë mënyra se si festohet apo pritet muaji i Ramazanit, ndryshon nga vendi në vend. I ftuar në emisionin Ftesë në Studio në Alsat, regjisori nga Tetova, Agim Abdulla, tregon për eksperiencën e tij gjatë viteve të studimeve në Iran, duke dhënë theks të veçantë traditave dhe zakoneve gjatë muajit të Ramazanit. Ai theksoi se Irani si shtet islamik me kushtetutë, i jep shumë rëndësi këtij muaji, duke e zbukuruar çdo rrugë të qyteteve, ndërsa ka edhe organizime të ndryshme gjatë gjithë muajit.

“Në Iran gjithmonë e ndjen atmosferën e Ramazanit, sepse Irani edhe me kushtetutë është shtet islamik. Ata kanë shumë investime për muajin e Ramazanit, fillimisht gjithmonë zbukurohet i gjithë qyteti, rrugicat, lagjet, xhamitë por nevojitet buxhet për gjithë  ata drita dhe zbukurimi. Por kjo është pjesa më e vogël, ka shumë organizime gjatë muajit të Ramazanit, ka bukë të veçanta, supë dhe ëmbëlsira të veçanta që përgatiten enkas për Ramazan. Dhe njerëzit presin radhë me orë për ti marrë këto, sepse duket sikur nuk e ndjen Ramazanin nëse si se hap ramazanin me atë supë apo nëse nuk e merr atë bukë. Sigurisht ka organizime që bëjnë iftare për të gjithë, gjithkush që ka nevojë mund të shkojë dhe të merr ushqim”, tha Agim Abdulla, regjisor.

Abdulla shtoi se në Iran gjatë muajit të Ramazanit çdo gjë është e mbyllur me ligj, ndërsa bizneset që punojnë marrin leje prej shtetit për të punuar.

“Duke pasur parasysh që është shtet islamik, atje gjatë muajit të Ramazanit gjithçka është e mbyllur me ligj, përveç marketeve të caktuara dhe restorante që kanë leje speciale që të punojnë gjatë muajit të Ramazanit dhe atyre u lejohet të japin ushqim për personat e sëmurë që nuk kanë mundësi të përgatisin iftare.” – tha Abdullai.
Regjisori theksoi se Irani është i pasur me tradita dhe zakone fetare, por gjithashtu është e pasur dhe me kulturë dhe art, kryesisht edhe në fushën e kinematografisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button