Bajerni mendon për pasuesin e Nojerit, i pari në listë është portier i Liverpullit

Epoka e Manuel Nojerit po shkon drejt fundit duke bërë që drejtuesit e Bajern Munihut të hidhen me kohë të plotë në merkato për të gjetur më në fund një zëvendësues. Në moshën 38 vjeçare Nojer nuk ofron më garanci, pavarësisht se kapiteni vijon të perfomojë në nivele të larta te Bajerni, ndërsa pas Evropianit njoftoi tërheqjen e tij nga përfaqësuesja gjermane për t’iu përkushtuar vetëm klubit. Nga Anglia zbulojnë pasuesin e Nojerit, më saktë dëshirën e drejtueseve të Bajernit dhe të trajnerit Kompani.
“Bajerni po ndjek prej kohësh Alison Bekerin, portierin e Liverpullit. Kompani është aq i fiksuar pas brazilianit sa po ushtron presion te stafi drejtues që të paraqesin një ofertë “majme” për të joshur Liverpulli dhe Alisson, në mënyrë që të sigurojnë sa më shpejtë shërbimet e tij, mundësisht që në verën e ardhshme,” raporton “The Sun”.
Gjithnjë sipas “The Sun”, Bajerni është gati të investojë 30 milionë euro për kartonin e Alisonit, ndërsa për portierin ofrojnë 5 milionë euro në sezon. Kujtojmë se Alison ka një kontratë me Liverpullin deri në vitin 2027.