“‘Ballkani i Hapur’, kufijtë e mbyllur – Asnjë pritje më e gjatë se në kufirin në Tabanoc”

“‘Ballkani i Hapur’, kufijtë e mbyllur – Asnjë pritje më e gjatë se në kufirin në Tabanoc”

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kanë udhëtuar gjatë, nga më shumë shtete evropiane, por shumica e qytetarëve që prisnin të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, thonë se më së shumti kanë pritur në pikën kufitare “Tabanoc”, shkruan Alsat.

Udhëtarët që kanë pasur më shumë fat kanë pritur rreth një orë këtu, por për disa prej tyre kjo pritje ka zgjatur madje deri në tre orë.

“Vijmë prej Hamburgu, për momentin kemi pritur tre orë këtu… Jo vetëm këtu është pritja më e gjatë, atje prit prit, atje normale është, por këtu me prit tre orë është e pabesueshme”, tha një qytetare.

“Nga Italia vijmë dhe po presim një orë e gjysmë.. Në dalje të Kroacisë pritëm ngjashëm… Duhet të hapen më shumë korsi, po piqen njerëzit”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Dy orë.. Po është një problem i madh”, tha një turtist.

Qytetarët të revoltuar kërkojnë nga autoritetet që të ndërmarrin masa, që pritjeve të tyre t’u gjendet një zgjidhje.

“Përse po bëhet kjo kështu, a nuk është turp, ‘Ballkani i Hapur’, kufijtë e mbyllur”, theksoi një tjetër qytetar.

“Ne për herë të parë kalojmë këtej, kemi pritur një orë”, tha një qytetar.

“Kemi pritur një orë, po mendoj, ne jemi nga Çekia dhe pritja aspak nuk është e rehatshme për familje me fëmijë”, u shpreh një turist.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, thekson se po punohet në qarkullimin më të lehtë dhe më të shpejtë të udhëtarëve dhe makinave megjithatë thekson se këtë vit numri i hyrjeve dhe daljeve nga shteti është rritur për 45 për qind.

“Më duhet ta konstatoj se këtë vit, këto 7 muaj, krahasuar me vitin 2021 në nivel shtetërorë kemi rritje të hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve dhe makinave për 45 për qind. Ndërsa sa i përket pikës kufitare në Tabanovc kemi rritje të hyrje-daljeve për 30 për qind”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Problemi me pritjet e gjata në këtë pikë kufitare nuk është i ri, në sezonin e verës kjo pikë kufitare gjithmonë është e stërngarkuar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button