“Ballkani i Hapur”, Kurti refuzon ftesën e Kovaçevskit

“Ballkani i Hapur”, Kurti refuzon ftesën e Kovaçevskit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur, që pritet të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor. Në letrën drejtuar kryeministrit Kovaçevski, Kurti ka thënë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian. Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.

“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti thotë se vlerat dhe aspiratat e përbashkëta arrihen në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku shtetet operojnë me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”. Në Ohër nuk do të merr pjesë as Bosnjë Hercegovina. Por, ndryshe nga më parë, pjesëmarrjen në takimin e radhës e ka paralajmëruar kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Sipas tij, qëllimi i vetëm i Malit të Zi në politikën e jashtme është anëtarësimi i plotë në BE dhe se nuk kërkon alternativa tjera për këtë qëllim.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button