Banorët e Drenocit s’kanë pikë uji, ndërsa faturat i paguajnë me rregull

Banorët e Drenocit s’kanë pikë uji, ndërsa faturat i paguajnë me rregull

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Është përkundër shkrirjes së borës dhe shtimit të sasisë së ujit, pjesa e epërme e Tetovës, vazhdon të vuaj mungesën e ujit. Që prej më shumë se dy dekadash, rreth 2000 shtëpi në Lagjet Drenoc 1 dhe 2, si dhe Drenoc i poshtëm, ujë kanë vetëm një orë në ditë ose aspak.

“Gjatë verës kemi nga një orë apo dy, tani s`ka aspak. Ditën e diel pa pikë uji jemi, e ndalin apo se di çka bëjnë. unë barti ujin me veturat e mia, me kofa, më e keqja është se për higjienë s’kemi. Kemi biseduar me ndërmarrjen veç thonë do vjen uji, do e lëshojmë gypin e ri por jo, 22 vite jetoj në këtë lagje unë asnjëherë ujë s`kemi pasur rregullisht, kurrë”, u shpreh një banorë.

“Në këto kohëra me nxehtë tani shumë problem kemi, sidomos verës, ndalon krejt. Krejt me bure me hidrofora jemi ne. Harxhojmë edhe rrymën, paguajmë rrymë paguajmë ujë”, tha një tjetër banorë i Drenocit.

Edhe pse s`keni ujë rregullisht komuna faturat ua sjellë?

“Po po rregullisht ato i sjellin, dhe po si pagove përfundon në gjyq”, u përgjigj banori.

“Banorët thonë se mungesa e ujit në këtë lagje vjen edhe si pasojë e keqpërdorimit të ujit për vaditje në pjesën e poshtme të lagjes, që është nën rrugën kryesore. Ankohen se komuna e Tetovës se, nuk merr masa inspektorati andej që të ndalohet keqpërdorimi i ujit që të paktën të ketë një pikë uji edhe kjo lagje, e cila numëron rreth 2000 shtëpi”.

Nga komuna e Tetovës, sërish premtojnë.

“Për momentin e kemi një ide për të bë një tentim që të paktën pjesën e epërme të Drenocit të tentojmë ti japim një zgjidhje. Pra do ketë një bajpass, me mundësi shtimi të ujit, së shpejti do bëhet, presim vetëm përgjigje për nga Drejtoria e Rrugëve të Maqedonisë, dhe nëse marrim pëlqim pozitiv do kemi mundësi ta bëjmë këtë dhe ta furnizojmë me sasi më të mëdha”, deklaroi Lulzim Shaqiri. Sektori i ujësjellësit i NPK “Tetova” Tetovë.

Në gjendje të këtillë janë shumica e lagjeve në pjesën e epërme të qytetit, të cilat, tash e më shumë se dy dekada marrin vetëm premtime se së shpejti do të ketë zgjidhje. Aspak në gjendje më të mirë nuk është edhe pjesa qendrore e qytetit të Tetovës, ku shpesh ka ose mungesë të ujit ose restrikcione që zgjasin me orë të tëra, si pasojë e humbjes së sasisë më të madhe të ujit, nëpër rrjetin e vjetërsuar të qytetit të Tetovës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button