Banorët e Kievit bënë homazhe për ukrainasit që humbën jetën nga lufta me Rusinë
Banorët e Kievit bënë homazhe për ukrainasit që humbën jetën nga lufta me Rusinë

Gazetar: Isuf Kadriu
Banorët e Kievit bënë homazhe të shtunën për dhjetëra mijëra ukrainasit që humbën jetën gjatë pushtimit të vendit nga Rusia dy vjet më parë.
Qindra njerëz erdhën në memorialin në Sheshin e Pavarësisë, disa u shpërthyen në lot ndërsa flamujt e shumtë ukrainas, përfaqësonin një jetë të humbur që nga fillimi i pushtimit.
“Ndihem shumë keq, sepse shumë miq vdiqën, shumë. I dashuri im është në ushtri. Është shumë e vështirë. Unë dua që e gjithë kjo të ndalet dhe ka shpresë për këtë”, tha Malvina, banore e Kievit.
“Është e tmerrshme. Çfarë mund të thuhet këtu, të gjithë po luftojnë si të munden. Është e pamundur të shikosh pa lot në sy”, shtoi Kristina, banore e Kievit.
Unë mendoj se të gjithë janë pak të lodhur, veçanërisht populli ukrainas. Askush nuk është më i lodhur se populli ukrainas për shkak të kësaj lufte. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu për të treguar se bota nuk e ka harruar këtë luftë. Ky është një kontribut I vogël nga ana jonë”, u shpreh Lukas, këshilltar i qytetit të Krakovit.
“Unë besoj se fitorja është e jona, e gjithë bota po na mbështet. Nëse Ukraina humbet, del se e gjithë bota do të humbasë kundër një vendi. Për shkak se të gjithë tashmë janë përfshirë në këtë luftë, ne nuk mund të humbim”, tha Anastasia, vullnetare ukrainase.
Në memorial për të shënuar përvjetorin e pushtimin rus erdhën edhe delegacione vullnetarësh nga vende të ndryshme, përfshirë edhe SHBA-të.
Ky është një vend i mahnitshëm. Demokracia dhe liria po lulëzojnë. Liria për të qenë ai që je dhe për të dashuruar…Dashuria duhet të bëhet më shumë normë, jo lufta. Ne jemi për ukrainasit, për lirinë e tyre dhe për një komb të lirë dhe një botë të lirë”, shtoi Mary Christy Macdonald, shtetase amerikane.
Në dy vjetorin e agresionit rus, Ukraina ka marrë mbështetje nga e gjithë bota duke e inkurajuar në vazhdimin e betejës deri në çlirimin e territorit të saj./Alsat.mk