Banorët e Strugës prej sot mund të përdorin ujin vetëm për çështje teknike
Banorët e Strugës prej sot mund të përdorin ujin vetëm për çështje teknike
Gazetar: Miki Trajkovski
Banorët e Strugës, të paktën deri të premten kur edhe do të kryhen analizat e reja, ujin nuk do të mund ta përdorin për pije e as përgatitje. Uji nga sot mund të përdoret vetëm për çështje teknike
Analizat e sotme të Qendrës për Shëndet Publik tregojnë turbullirë afër kufirit të lejuar prej 1.5 njësi. Në burimet Shum është 1.65, në spitalin e përgjithshëm 1.70, ndërsa në kopshtin e fëmijëve 1.61. Ndërkohë priten edhe rezultatet e analizave shtesë nga Instituti i Shëndetit Publik në Shkup, të cilat duhet të tregojnë nëse ka grimca kancerogjene në ujë.
“Atje kontrollohen të gjithë elementet, edhe radioaktiviteti, gjithçka. Pyeta në “Ujësjellës” nëse kanë bërë analizë të zgjeruar. Më parë, kur ishin bashkë Proakva, Ohri dhe Struga, bëhej analizë e zgjeruar. Dy herë në vit me ligj duhet ta bëjnë, për shkak të grimcave që mund të gjenden dhe që janë toksike për organizmin ose kancerogjene”, tha Lidija Simonoska – Qendra për Shëndet Publik, Ohër.
Për shkak të dyshimeve për vepra penale “eksploatim të paligjshëm të lëndëve minerale dhe ndotje të ujit të pijshëm”, Prokuroria e Strugës ndaloi dy kompani nga Veleshta të kryejnë gërmime pranë burimeve.
“Përgjegjësia është edhe e ish-drejtorëve të ndërmarrjes publike, e ish-kryetarëve të komunës, e të gjitha institucioneve që nuk kanë vepruar ose kanë vepruar në mënyrë të papërshtatshme”, u shpreh Mite Stefovski – kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës.
Mesatarisht burimet në Shum japin 500 litra ujë në sekondë. Por për shkak të ngjarjeve të fundit, ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente për riparim, Struga rrezikon të humbasë përgjithmonë burimet./ Alsat.mk








