“Bashkimi i komunave shqiptare” nxit reagime

"Bashkimi i komunave shqiptare" nxit reagime

Gazetar: Ardit Ramadani

Propozimi i partisë Alternativa për krijimin e asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut sipas modelit të propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare për në Kosovë duket të jetë e papranueshme për partitë maqedonase në vend. Lidhja Social Demokrate këtë e konsideron si joserioze dhe tentativë të Alternativas për të fituar pikë politike.

“Konsiderojmë që kjo është një kërkesë e papranueshme, bëhet fjalë për një kërkesë me anë të së cilës struktura të posaçme politike tentojnë të përfitojnë një pjesë të trupit votues. Megjithatë, kjo është tërësisht joserioze dhe në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet situata jonë me atë në Kosovë sepse në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, ligjit për bashkëpunim mes komunave, bashkëpunimi mes komunave në shtetin tonë është absolutisht e mundshme”, tha Sanella Shkrielj.

Për kreun i opozitës Hristijan Mickovski mjafton marrëveshja e Ohrit, thotë se ide të tilla mund të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.

”Në RMV pjesë e Kushtetutës është marrëveshja kornizë e Ohrit, marrëveshja e Ohrit e garanton karakterin unitar të shtetit. Nëse ka parti politike në Maqedoni që duan të braktisin marrëveshjne kornizë atëherë duhet ta thonë para opinionit por edhe para bashkësisë ndërkombëtare të cilët janë edhe garantues të asaj marrëveshje se nuk e pranojnë atë marrëveshje. I paralajmëroj politikanët në Maqedoni të kenë kujdes dhe të mos i ndezin marrëdhëniet multientike sepse Maqedonia është shtet multientik dhe ky lloj I sjelljes së papërgjegjshme vetëm mund ti trazojnë këto tensione dhe të sjellin probleme më të mëdha për qytetarët”, deklaroi Hristijan Mickovski.

Edhe nga Lidhja Demokratike kumtuan se janë kundër këtij propozimi.

Për dallim prej tyre, partitë shqiptare të cilat udhëheqin me një pjesë të komunave në Maqedoninë e Veriut vendosën të mos e komentojnë fare këtë propozim. Nga BDI-ja dhe ASh-ja nuk përgjigjen në pyetjen e ALSAT ndërsa nga Lëvizja BESA, thanë se ju nevojitet kohë për të vendosur në qoftë se janë për ose kundër propozimit.

“Këto janë tema serioze për parti serioze që kërkojnë debat të brendshëm partiak dhe publik, në momentin kur do të kemi qëndrim në lidhje me këtë iniciative do të informoheni edhe mediume edhe qytetarët për qëndrimin e Lëvizje Besa”, thonë nga Lëvizja BESA.

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti nuk u shpreh kundër iniciativës. Ai tha se asociacioni në Kosovë do të ketë domino-efekt edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, pas një viti qeverisje nga Alternativa dy ditë më herët dolën me idenë për asociacion të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ata ju bënë thirrje të gjitha partive politike shqiptare që ta përkrahin iniciativën./Alsat.mk

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button