Bateritë e telefonave tanë do t’i ndërrojmë vetë: Gjithçka që duhet të dini rreth ligjit të ri të BE-së
Rregulloret e reja të BE-së do t’i detyrojnë prodhuesit të prodhojnë telefona me jetëgjatësi më të madhe, me bateri që zëvendësohen lehtësisht dhe pjesë të aksesueshme.
Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap që do ta ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si prodhohen telefonat celularë. Seti i ri i rregullave , i cili po futet në fuqi në faza, e vendos qëndrueshmërinë dhe riparueshmërinë në thelb të dizajnit.
Mesazhi kryesor është i qartë: telefonat nuk duhet të jenë mallra që hidhen sapo të mbarojë bateria.
Standardet më të rrepta kanë hyrë në fuqi që nga qershori i vitit 2025, por bumi i vërtetë na pret në vitin 2027, kur çdo telefon inteligjent do të duhet të ketë një bateri që përdoruesi mund ta zëvendësojë në shtëpi.
Këto rregulla nuk janë vetëm një rekomandim, por një mandat i rreptë që i detyron markat si Apple, Samsung dhe Xiaomi të ndryshojnë bazat e operacioneve të tyre. Ja çfarë po ndryshon:
- Vetë-zëvendësimi i baterive: Deri në vitin 2027, bateritë duhet të jenë të zëvendësueshme duke përdorur mjete bazë dhe të disponueshme lehtësisht.
- Bateri me cilësi më të mirë: Çdo bateri duhet të ruajë të paktën 80% të kapacitetit pas 800 cikleve të karikimit.
- Pjesë këmbimi për 10 vjet: Prodhuesit duhet të sigurojnë pjesë për një dekadë pas lançimit të modelit.
- Dorëzim i shpejtë i pjesëve: Komponentët kryesorë duhet të arrijnë te klienti brenda 5 deri në 10 ditë pune.
- Udhëzime publike: Manualet e riparimit duhet të jenë të disponueshme për të gjithë, jo vetëm për riparuesit e autorizuar.
Ndërkohë që këto janë rregulla për tregun evropian, ato pothuajse me siguri do të bëhen një standard global. Është shumë e kushtueshme për prodhuesit të prodhojnë dy versione të ndryshme të pajisjeve, kështu që një iPhone ose Galaxy i shitur në Maqedoni ose Amerikë ka të ngjarë të jetë i njëjti që përmbush standardet e BE-së.
Për përdoruesit, kjo do të thotë kosto drastikisht më të ulëta. Në vend që të blejnë një telefon të ri për 1,000 euro sepse bateria e tij po mbaron, ata do të jenë në gjendje ta zgjasin jetëgjatësinë e tij me disa vite të tjera për shumë më pak para.
Ndoshta telefonat do të bëhen një milimetër më të trashë, por në këmbim ato do të jenë më të besueshme dhe miqësore me mjedisin.








