Baush: Rritja e ulët ekonomike, rezultat i mungesës së investimeve kapitale

Baush: Rritja e ulët ekonomike, rezultat i mungesës së investimeve kapitale

Gazetar: Adnan Qaili

Rritja më e ulët e zhvillimit ekonomik në periudhën post pandemike ka ngritur alarmin e ekspertëve ekonomikë. Parashikimet e Bankës Popullore të Maqedonisë që rritja sivjet do të jetë jo më e lartë se 2,6% madje është optimiste krahasuar me parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit monetar ndërkombëtar. Profesori Abil Baush tha se kjo rritje e plogësht është rezultat i mungesës së investimeve kapitale, si pasojë e burokracisë shtetërore. Por, edhe mungesa e fuqisë punëtore, sipas tij, ka bërë që të bie rendimenti i punës, fuqia blerëse dhe ulja e konsumit të cilat determinojnë një treg të dobësuar.

“Ne nuk kemi strategji të qartë për investimet kapitale, kjo e para. E dyta: nuk bëjmë reforma të caktuara nëpër sektorë të cilët do të zbatoheshin më mirë këto investime kapitale dhe e treta: sundimi i ligjit. Nëse procedurat zvarriten nuk do të kemi as investime të huaja e as vendase. Pas vitit 2020 ka nis që forca punëtore të jetë mungesë edhe në vendet Evropiane dhe kuadrot profesional tonat kanë filluar të shkojnë atje. Do të bëj dëm të dyfishtë edhe në aspektin e BPV si prodhues edhe në aspektin e konsumit, të cilat do ta shtyjnë prodhimtarinë e vendit”, deklaroi Abil Baush, Ekspert ekonomik.

Banka Popullore një ditë më parë doli me kritika ndaj autoriteteve për mos rregullim të tregut të produkteve ushqimore. Në botë efektet e pandemisë dhe luftës janë minimizuar, kurse te ne vazhdojnë të mbeten rreth 48% më të larta çmimet të produkteve të njëjta se sa para pandemisë. Qytetarët kjo gjendje i varfëron. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës FAO nga mesi vitit 2022 indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore është ulur në vazhdimësi në nivel botëror. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në nivel botëror akoma janë më të larta çmimet për 18% në krahasim me para pandemisë. Tek ne dyfish!

“Në parashikimet e fundit të makroekonomisë pritet rritje ekonomike prej 2.6% këtë vit dhe 3.6% vitin e ardhshëm. Inflacioni mesatar i tremujorit të parë të këtij viti ishte 3.4%, për të gjithë vitin 2024 parashihet të jetë 3.5%, që është një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar kur ishte 9.4%. Por, pritshmëritë e rritjes së BPV-së janë ulur si pasojë rritjes më të dobët të vitit të kaluar, veçanërisht në investime, të cilat shënuan rënie prej 16.7%. Ndikim pati edhe rënia në nivel global të partnerëve tanë kryesorë tregtarë”, njoftojnë nga Banka Popullore e Maqedonisë.

Rritja më e ulët ekonomike në historinë e vendit ishte në periudhën e pandemisë, gjegjësisht me recesion -1.9% në nivel vjetor. Edhe deficiti buxhetor ishte i thellë dy vite më parë. Shuma totale e buxhetit të shtetit është 5.5 miliardë euro. Të hyrat e përgjithshme në vitin 2024 janë planifikuar në nivelin prej 310,1 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 343,6 miliardë denarë. Buxheti për vitin 2024, është për 3.4% më i lartë se ai i vitit të kaluar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button