BBC: Putini dëshiron kontroll absolut

Vladimir Putin po rrit gjendjen e gatishmërisë në pothuajse të gjitha rajonet ruse pasi kuptoi se “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë nuk po zhvillohet sipas planeve të tij, shkruan BBC.

Presidenti rus po fut masa gjithnjë e më të rrepta sigurie në rajonet e territorit të Rusisë dhe ka shpallur gjendjen ushtarake në katër rajone që aneksoi Luhansk, Donetsk, Zaporozhye dhe Kherson.

“Putini është nën presion të madh. Ukrainasit po rimarrin territorin që pushtuan me një kundërsulm, rajonet ruse përgjatë kufirit me Ukrainën janë nën sulm të vazhdueshëm dhe mobilizimi i përgjithshëm i popullsisë ka sjellë shumë trazira në shoqërinë ruse. Në vend që të pranojë se pushtimi i Ukrainës ishte një gabim, Putini dëshiron edhe më shumë kontroll”, shkruan BBC.

Putin e ngriti gjendjen e gatishmërisë në “mesatare” në rajonet ruse në kufirin me Ukrainën. Në përkthim, kjo do të thotë gjithnjë e më shumë polici në rrugë, duke kufizuar lëvizjen dhe duke kontrolluar dhe kufizuar hyrjen dhe daljen nga rajone të caktuara.

Hapi tjetër është ngritja e gjendjes së alarmit në “të lartë”, gjë që do të prekte si Rusinë jugore ashtu edhe Moskën, banorët e së cilës kanë frikë se një lëvizje e tillë do të prishte plotësisht jetën e tyre të përditshme. Për këtë foli kryetari i Moskës, Sergej Sobyanin, i cili tha se nuk ka nevojë për shqetësim, megjithëse qytetarët janë skeptikë.

Niveli më i ulët i gatishmërisë është në veri të Rusisë, në Siberi dhe në Lindjen e Largët, por të gjithë udhëheqësit rajonalë duhej të krijonin selinë operative. Ata janë urdhëruar të jenë plotësisht në dispozicion të ushtrisë dhe nevojave të saj në çdo kohë, gjë që, pretendon BBC, automatikisht i jep ushtrisë kompetenca shumë më të mëdha.

“Ne do të shohim se si do të funksionojë e gjithë kjo.” Megjithatë, është e qartë se me këto lëvizje të fundit, Putini do të kufizojë ndjeshëm lirinë e qytetarëve rusë për t’i kontrolluar më mirë ata. Nëse situata në Rusi përkeqësohet, hapi tjetër është shpallja e gjendjes ushtarake në pjesën më të madhe të vendit dhe do të shohim se cilat janë pasojat”, përfundon BBC.

LEXO EDHE:

Back to top button