“BBC” zgjodhi 10 sulmuesit më të mirë të shekullit të 21-të
Mediumi i madh britanik “BBC” ka publikuar listën e saj të sulmuesve më të mirë të shekullit të 21-të. Si zakonisht, kjo listë shkaktoi shumë polemika, kryesisht për shkak të pozicionimit, por edhe lënies jashtë të disa sulmuesve të klasit të lartë. Shumë njerëz mbetën të habitur se si emra të mëdhenj si Samuel Eto’o, Raul Gonzalez, Andrij Shevçenko, Rud van Nistelroj ose Uejn Runi nuk ishin në listën e lartpërmendur.
Nga ana tjetër, “BBC” theksoi golat si pikënisje, por gjithashtu vuri në dukje se ndikimi, jetëgjatësia, fitimi i trofeve dhe cilësitë përcaktuese të pozicionit – të tilla si mbajtja e topit, aftësia ajrore dhe prania në zonën e penalltisë ishin faktorë kyç në përzgjedhje.
Kështu, sipas “BBC”-së, sulmuesi më i mirë qendror i shekullit të 21-të është braziliani Luis Nazario da Lima Ronaldo i njohur vetëm si Ronaldo apo “Fenomeni”, gjë që pritet. Megjithatë, ajo që nuk pritej ishte renditja më tej. Në vendin e dytë është anglezi Hari Kejn, i cili ka vetëm një trofe në karrierën e tij, të cilin e fitoi sezonin e kaluar me Bajernin.
Më pas vjen Erling Haaland si i treti, dhe vetëm pas tij vjen futbollisti më i mirë në historinë e Premier Ligës, Tieri Anri. I pesti është ylli polak, Robert Levandovski, i ndjekur nga Didier Drogba i gjashti, pastaj fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema i shtati.
Lista plotësohet nga lojtarë të mëdhenj si Zlatan Ibrahimovic, Luis Suarez dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, Miroslav Klose që mbyll “Top 10”.








