BDI akuzon Qeverinë se i hoqi 6 milionë euro nga projekti i Bulevardit “Hasan Prishtina”

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon Qeverinë se i hoqi 6 milionë euro nga projekti i Bulevardit “Hasan Prishtina”. Nga BDI thonë se bëhet fjalë për një projekt të planifikuar që nga viti 2023, kur Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit kishin formuar komision të përbashkët për përgatitjen e planit urbanistik. Nga partia thonë se plani ishte përgatitur, dakorduar dhe miratuar, ndërsa për realizimin e projektit ishin siguruar 6 milionë euro gjatë qeverisjes BDI-LSDM.

BDI pretendon se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, i ka ridestinuar këto mjete për një projekt tjetër – rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor.

“Pra, projekti ishte planifikuar, plani ishte miratuar dhe paratë ishin siguruar. Por sot, Qeveria VMRO-DPMNE–VLEN i ka ridestinuar këto 6 milionë euro për një projekt tjetër”, thonë nga BDI.

Nga kjo parti pyesin “çfarë kuptimi ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm?”.

BDI i ka kërkuar Qeverisë që t’i rikthejë 6 milionë eurot për projektin e Bulevardit “Hasan Prishtina” dhe të fillojë zgjerimin e Rrugës së Kaçanikut.

Gjithashtu BDI i ka bërë thirrje VLEN-it që të reagojë ndaj ridestinimit të mjeteve, duke kërkuar përgjigje se pse janë marrë 6 milionë eurot dhe kur pritet të fillojnë punimet për këtë bulevard.

“Qytetarët nuk kanë nevojë për ceremoni dhe fotografi. Kanë nevojë për rrugë. Kanë nevojë për zgjidhje”, thonë BDI.

LEXO EDHE:

Back to top button