BDI-ja në mbrojtje të Xhaferit, nuk komenton procedurën disiplinore

BDI-ja në mbrojtje të Xhaferit, nuk komenton procedurën disiplinore

Gazetare: Fatlume Dervishi

Për disa ditë me radhë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kabineti i tij nuk komentojnë audio-incizimin në të cilin kreu i ligjvënësit dëgjohet duke sharë dhe fyer nëpunësit e këtij institucioni. Xhaferi nuk komenton as nismën e VMRO-DPMNE-së për procedurë disiplinore ndaj tij, e cila bazohet në shkeljen e kodit etik të deputetëve. Ai hesht, kurse nga partia e tij nuk do ta komentojnë rastin, deri sa nuk dëgjohet edhe qëndrimi i Xhaferit.

“Në parti nuk kemi pasur një takim të tillë dhe për këto çështje duhet të drejtoheni te kryetari i Kuvendit dhe të merrni qëndrimin e tij. Unë e njoh zotërin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferi. Ndaj nesh është njeri që gjithmonë vepron si një lloj pedagogu dhe gjithmonë na mëson për qasjen më të mirë. Se si ka ardhur deri te ajo situatë, a është nxjerr nga konteksti, s’mund të komentoj kur nuk e kemi dëgjuar edhe palën e dytë”, tha Visar Ganiu, BDI.

Deputetët e LSDM-së do ta ndjekin procedurën ndaj Xhaferit dhe do të votojnë në bazë të të dhënave që do të ofrohen gjatë debatit, tha kryeministri dhe kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski.

“Unë do të bëja thirrje për respektim të procedurës, respektimin e kodit etik të sjelljes dhe respektimin e procedurave të Kuvendit. Kuvendi është pushtet i veçantë në vend dhe qeveria është pushtet i veçantë dhe sigurisht se kryetari i qeverisë nuk mund të zbatojë procedurë për çështjet e Kuvendit”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

VMRO-DPMNE-ja nisi procedurë në Komisioni për çështje te mandatit dhe imunitetit dhe ka propozuar deputetë të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë për këtë. Vërtetësia e materialeve të publikuara e të cilat pretendohet se janë incizime nga transmetimi i kanalit të Kuvendit, mbetet për t’u konfirmuar./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button