BDI kritikon VLEN-in: Dy vite pa përparim në eurointegrime
Gazetare: Melihate Rustemi
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, tha se VLEN në dy vitet e para të qeverisjes ka dështuar të përmbushë premtimet për avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE. Osmani tha se vendi ka mbetur në vendnumërim dhe se nuk janë realizuar reformat e nevojshme. Osmani shtoi se edhe fondet dhe mundësitë që ofron Plani i Rritjes i BE-së nuk janë shfrytëzuar siç duhet.
“Humbjen më të madhe të agjendës evropiane, VLEN ua ka shkaktuar shqiptarëve, votuesve të vet dhe popullit të vet. Dhe këtë nuk e themi ne. Këtë e thotë Brukseli. Këtë e thotë Parlamenti Evropian, i cili rikujton se rruga drejt Brukselit vazhdon të kalojë përmes Ohrit”, tha Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Osmani përmendi edhe raportin e fundit të Parlamentit Evropian, duke thënë se ai kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave të shqiptarëve, përfshirë barazinë gjuhësore.
“Kur Parlamenti Evropian detyrohet t’i kujtojë institucioneve të këtij shteti që të respektojnë të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve, atëherë kjo është dëshmia më e fortë e dështimit të VLEN-it si përfaqësues politik në Qeveri”, theksoi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.
Osmani tha se në vend që Maqedonia e Veriut të jetë shembull i një shoqërie të suksesshme multietnike dhe faktor stabiliteti në rajon, sot sërish hapen dilema për drejtimin e saj strategjik./Alsat.mk.








