BDI: Propozuam ligj që të ketë kufizime të rrepta ndaj politikanëve në “listën e zezë”, por u bllokua nga VMRO dhe VLEN

BDI: Propozuam ligj që të ketë kufizime të rrepta ndaj politikanëve në “listën e zezë”, por u bllokua nga VMRO dhe VLEN

Gazetar: Zekirja Haxhiu

Ndonëse nevoja për të trajtuar rastet për dyshim për korrupsion për personat që janë gjetur më herët në listën e zezë të SHBA-ve ka qenë ndër vite, rasti i fundit me ish zv.kryeministrin Artan Grubi, bëri që Prokuroria Publike të “përvjelë mëngët” dhe të hapë hetim kundër tij, edhe pse jo për të njëjtin rast. Lista e zezë e SHBA-ve për funksionarë është e gjatë, por jo edhe lista e të burgosurve të tyre. Meqenëse Grubi vinte nga BDI-ja, kjo parti ditëve të fundit ishte më e sulmuara për krim dhe korrupsion. Kjo bëri që BDI të reagojë përmes një komunikate zyrtare.

“Ministrat tanë propozuan një ligj progresiv që vendoste kufizime të rrepta ndaj individëve të shpallur në “listën e zezë” të SHBA-së për korrupsion. Ky ligj synonte të ndalonte këta individë të merrnin pjesë në zgjedhje dhe në proceset e prokurimit publik. Një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe besimit publik. Pavarësisht këtij angazhimi të qartë për llogaridhënie, propozimi i ligjit u bllokua në Kuvend nga VMRO-DPMNE dhe VLEN”, thonë nga BDI.

Qeveria e kaluar paralajmëroi ndryshime të ligjit për masa restriktive, me çka personat që do të gjenden në listën e zezë të SHBA-ve, ndaj tyre do të zbatohen masa restriktive edhe në Maqedoni. Masat parashihnin që nëse janë në funksion të shkarkohen përkohësisht deri në vërtetimin e akuzës, tu ndalohet të marrin pjesë në tenderë, si dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë ilegale. Por ky propozim ligj nuk u shqyrtua në Kuvend edhe pse ishte vendosur në rend dite në seancën e 143-të, ditën kur u shkarkuan ministrat e ASH-së, Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti.

Zv.kryeministri Izet Mexhiti një ditë më parë tha për Alsat se BDI po përballet me një situatë kur njerëzit i ka në lista të zeza ndërsa i ngjanë një regjimi si të Gruevskit që ndërhyn në gjyqësi, me korrupsion por edhe me ikje nga vendi. Nga ana tjetër sekretari organizativ i BDI-së Blerim Bexheti dje u distancua nga Grubi duke thënë se ai nuk është pjesë e integristëve dhe i bëri thirrje atij që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button