BDI s’komenton nëse ka negociata me Gruevskin për të siguruar 80 vota

BDI s’komenton nëse ka negociata me Gruevskin për të siguruar 80 vota

BDI as nuk pohon dhe as nuk përgënjeshtron nëse po negociohet me ish kryeministrin Nikolla Gruevski me qëllim sigurimin e votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Nga partia e Ahmetit nuk flasin as për kushtet për të cilat Gruevski do të siguronte deputetë nga ish subjekti i tij politik. VMRO DPMNE-ja ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke deklaruar se askush nuk mund të ndikon tek deputetët. Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Timço Mucunski tha se nuk ka informacion nëse Gruevski ka kontakt me ndonjërin nga deputetët e grupit parlamentar.

“Ndikim ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së mund të kenë vetëm ata ndaj vetes së tyre, pra është jo korrekte të flasim për ndikim ndaj kujtdo. Ata janë njerëz të rritur, të realizuar në jetën e tyre në sfera të ndryshme të veprimit dhe është jo korrekte të flasim se a ndikon dikush ndaj tyre”, tha Timço Mucunski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pavarësisht deklarimeve të opozitës maqedonase, negociatat e mundshme me Gruevskin duket se i kanë krijuar një siguri pushtetit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk do të ketë zvarritje për fillimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Ndryshimet kushtetuese nuk do të shtyhen. Me formimin e grupit të punës fillon edhe procesi kur më pas nisin edhe procedurat ligjore…vendi ynë nuk do të mbetet peng i karrierës së një njeriu në shtet i cili është i gatshëm të rrezikon edhe anëtarësimin e plotë në BE për të ruajtur karrigen e tij”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

VMRO DPMNE-ja një mundësi të tillë të Kovaçevskit e vlerëson si folklor politik. Sipas opozitës nëse Qeveria dëshiron ta dijë nëse i ka ose jo numrat për ndryshimet kushtetuese, le ta vendos si pikë të rendit të ditës në Kuvend dhe ta vërteton.

“Pengu më afatgjatë është Dimitar Kovaçevski. Është peng i BDI-së dhe Ali Ahmetit, është partner i krimit. Është peng i të kaluarës së tij partiake. Edhe ne pajtohemi se nuk ka zvarritje të procedurës, por i kërkojmë që t’i vendos menjëherë në rend dite”, tha Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Referuar kornizës negociuese, ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë në muajin nëntor. Kërkesa kryesore është përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button