BE-ja do të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak do të vizitojë dy vendet

Këshilli i BE-së, në nivel ministrash, do të diskutojë të hënën, më 12 tetor, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky diskutim ndodh për herë të parë prej kur Mirosllav Lajçak është emëruar si i dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë tema e parë e takimit të ministrave evropianë të hënën në Luksemburg.

Pas takimit, javën që vjen, Lajçak do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin. Këto i ka konfirmuar të premten, një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

Sipas zyrtarëve të BE-së, qëllimi i vizitës së Miroslav Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd do të jetë zhbllokimi i temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në fillim kanë pasur mirëkuptim për disa qëndrime të delegacionit të Kosovës, i cili e ka pasur një situatë të vështirë në Kosovë, por gjithsesi obligimi i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka së cilës Kosova nuk mund t’i ikë dhe për të duhet të diskutohet dhe kjo duhet edhe të zbatohet”, ka thënë zyrtari i BE-së.

Pikërisht për shkak të temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka ngecur dialogu që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Pala kosovare kishte refuzuar që të diskutohet për këtë temë, ndërsa Beogradi insiston se për këtë duhet të diskutohet dhe kjo duhet edhe të zbatohet.

Edhe BE-ja ka përsëritur se Kosova, me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, ka marrë obligim për krijimin e Asociacionit dhe tash i takon Kosovës që të paraqesë propozime se si do të bëhet kjo.

“Liderët ishin pajtuar që në dialog të diskutohet për këtë temë. Më vonë, delegacioni i Kosovës e kishte humbur mandatin që të diskutohet për këtë temë. Situata politike në Kosovë është e ndjeshme dhe ka pasur disa deklarata që e kanë vënë në dyshim se a është Asociacioni në agjendë apo jo. Ne mund të kemi mirëkuptim për këtë situatë për një kohë të caktuar, por bëhet fjalë për temën e cila duhet të jetë në agjendë, pasi ky është një obligim që Kosova e ka marrë mbi vete”, ka thënë ky zyrtar i BE-së.

I njëjti burim, i pyetur për marrëveshjet që Kosova dhe Serbia i kishin nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, tha se “ato as nuk kanë bërë ndonjë dëm, e as nuk kanë ndihmuar shumë”. Sipas tij, vendimet që Kosova dhe Serbia t’i hapin ambasadat e tyre në Izrael, në qytetin e Jerusalemit “nuk janë në përputhje me aspiratat e tyre për integrim në BE”.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Në bazë të dokumenteve të nënshkruara, Kosova dhe Serbia janë pajtuar, gjithashtu, t’i normalizojnë marrëdhëniet ekonomike.

LEXO EDHE:

Back to top button