BE-ja ka dhuruar më pak se 4 milionë vaksina kundër COVID-19

Shtetet e Bashkimit Evropian (BE) deri më tani kanë dhuruar vetëm një pjesë të vogël të vaksinave kundër COVID-19 të planifikuara për vendet e varfra. Shumica e donacioneve janë vaksina AstraZeneca.

- Advertisements -

Një dokument i BE-së tregon se deri më tani janë dhuruar më pak se 3 për qind nga 160 milionë doza të planifikuara të dhurohen për të ndihmuar në zbutjen e pandemisë globale.

BE-ja është e vendosur që të ndihmojë në vaksinimin e personave më të ndjeshëm nëpër botë, por ngjashëm me shtetet e tjera të pasura, shtetet e BE-së deri më tani janë fokusuar në blerjen e vaksinave për imunizimin e qytetarëve të vet, duke kontribuar kështu në mungesë të vaksinave në vende të tjera.

Shtetet e BE-së me një popullsi të kombinuar prej afër 365 milionë njerëz, deri më tani kanë pranuar rreth 500 milionë doza nga prodhuesit dhe presin afërsisht një miliard doza deri në fund të shtatorit.

Por, deri më 13 korrik, këto shtete kanë dhuruar më pak se 4 milionë doza, thuhet në dokumentin e brendshëm të përpiluar nga Komisioni Evropian, të siguruar nga agjencia Reuters.

Në total, thuhet se shtetet e BE-së kanë vendosur të ndajnë rreth 160 milionë doza, në përgjithësi pa preferenca për destinacionin e tyre. Numri i dërgesave dhe totali i premtuar nuk është raportuar më herët.

Brukseli më herët kishte thënë se shtetet e BE-së planifikojnë të dhurojnë së paku 100 milionë doza deri në fund të vitit. Ndërkaq, nuk është përmendur afat për tragetinë e listuar në dokument.

Në një deklaratë, të enjten, Komisioni Evropian tha se shtetet anëtare ishin në rrugë të mirë për të kaluar synimin fillestar me 200 milionë doza për shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme këtë vit. Në deklaratë nuk u përmend sa doza deri më tani janë dërguar.

LEXO EDHE:

Back to top button