BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

Bashkimit Evropian thotë se në takimin e djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka dorëzuar atyre një plan për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes mes dy vendeve. Burime të BE-së sic transmetojnë mediat në Prishtinë kanë mohuar pohimet e kryeministrit Kurti se gjatë takimit me Vuçiqin të ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell vetëm ai ka paraqitur një plan të tillë. Burime të BE-së në Bruksel kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë runde të takimeve të ndara me palët. Dokumenti, në të cilin thirren burimet e BE-së përmend që zbatimi do të niste me “hapjen e procesit negociues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ndërsa Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e yllit dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale. Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës. Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit. Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog. Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve. Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button