BE, marrëveshje për ndalesë në naftën ruse

BE, marrëveshje për ndalesë në naftën ruse

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Udhëheqësit e vendeve të BE-së ranë dakord për të ndaluar 90% të furnizimeve të naftës dhe gazit rus. Përjashtim do të bëhet vetëm nga karburanti që importohet përmes tubacioneve të naftës, pas një kundërshtimi nga Hungaria. Kryeministri Hungarez Viktor Orban kishte bërë të qartë se mund të mbështeste sanksionet e reja vetëm nëse garantohej siguria e furnizimit me naftë të vendit të tij. Bullgaria gjithashtu është përjashtuar nga embargoja ndaj naftës ruse deri në fund të vitit 2024.

“Detaje të mëtejshme mbi përjashtimin do të zbulohen brenda dy ditësh. Përjashtimi do t’i japë Bullgarisë kohë për të përshtatur rafinerinë e saj për të përpunuar naftë tjetër”, deklaroi Kirill Petkov, Kryeministër i Bullgarisë.

Presidenti i Këshillit Evropian tha se përmes këtij kompromisi do të ndërpritet sponsorizimi i makinerisë ushtarake të Moskës.

“Më shumë se kurrë është e rëndësishme të tregojmë se jemi në gjendje të jemi të fortë, se jemi në gjendje të jemi të vendosur, se jemi në gjendje të jemi të ashpër”, tha Çarlls Mishell, Shef i Këshillit Evropian.

Presidentja e Komisionit EvropianUrsula von Der Lein theksoi se pjesë e paketës së sanksioneve është edhe nxjerrja nga sistemi Swift edhe i bankës kryesore ruse, e cila është më e madhja në vend.

“Ka një ndalesë për sigurimin dhe risigurimin e anijeve ruse nga kompanitë e BE-së, një ndalim për t’u ofruar kompanive ruse një gamë të tërë shërbimesh biznesi”, u shpreh Ursula Von Der Leje, Shefe e Komisionit Evropian.

Paketa e re e sanksioneve do të përfshijë gjithashtu një ngrirje të aseteve dhe ndalim të udhëtimit për individët, ndërsa banka më e madhe ruse, Sberbank, do të përjashtohet nga SWIFT, sistemi kryesor global për transfertat financiare. Tre transmetues të mëdhenj shtetërorë rusë do të pengohen të shpërndajnë përmbajtjen e tyre në BE. Masa e Bashkimit Evropian është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Moskës, e cila kërkon një miratim nga 27 vendet anëtare.

Në reagimin e parë të Moskës, Medvedev i cili këshillon presidentin rus Putin tha se “vendosja e sanksioneve ekonomike” nuk do të prekë elitën politike, por do të shkaktojë humbje për biznesin e madh. Ai tha se sanksionet e naftës dhe gazit synojnë tatimpaguesit dhe qytetarët.

Nga ana tjetër Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Holandë, në përshkallëzimin e fundit të mosmarrëveshjes për pagesat e energjisë me perëndimin. Kompania holandeze Gasterra raportoi se Gazprom ka vendosur të ndalojë furnizimin me gaz për shkak të refuzimit të kompanisë për të paguar në valutën ruse, rubla./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button