BE reagon ndaj komenteve të ambasadorit kinez për ish-republikat e Bashkimit Sovjetik

BE reagon ndaj komenteve të ambasadorit kinez për ish-republikat e Bashkimit Sovjetik

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian reaguan të hënën pasi ambasadori i Kinës në Francë shkaktoi indinjatë kur u duk se sugjeroi se ish-republikat e Bashkimit Sovjetik nuk janë vende sovrane. Estonia, Letonia dhe Lituania do t’i kërkojnë zyrtarisht sqarim Pekinit për qëndrimin e ambasadorit. Ndërkohë Pekini u përpoq të distancohej nga komentet e ambasadorit.

Qeveritë e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë hodhën poshtë komentin e ambasadorit Lu Shaye në një intervistë për një televizion francez. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha se komenti është i papranueshëm dhe se vendi i tij dhe dy vendet e tjera baltike do të thërrasin përfaqësuesit e Kinës për sqarime.

“A ka ndryshuar qëndrimi kinez për pavarësinë? Ne do t’u kujtojmë gjithashtu atyre se ne nuk jemi vende post-sovjetike por vende që ishin pushtuar ilegalisht nga Bashkimi Sovjetik”, tha zoti Gabrielius.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna shprehu një qëndrim të ngjashëm.

“Është e qartë se shtetet baltike, Estonia, është shtet sovran i pavarur, jemi anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por shpresoj se do të ketë një shpjegim. Jemi të pakënaqur me komentin”, tha ai.

Ata i bënë komentet para një takimi të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se kjo çështje do të diskutohej gjatë takimit.

“Kjo deklaratë e bërë nga ambasadori kinez për sovranitetin dhe ekzistencën e vendeve që ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik është diçka që do ta diskutojmë në kuadrin e çështjes së Kinës. Këshilli do të fillojë të diskutojë për Kinën në mënyrë që të përgatisë Bashkimin Evropian dhe në qershor ndoshta do të rivlerësojmë dhe rikalibrojnë strategjinë tonë ndaj Kinës.”

Një zyrtar francez tha se Ministria e Jashtme franceze do të thërrasë një takim me ambasadorin kinez gjatë së hënës ku do të mbajë “një qëndrim shumë të vendosur”.

Ndërkohë zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze, Mao Ning tha të hënën se Pekini respekton statusin e ish-vendeve anëtare të Bashkimit Sovjetik si vende sovrane. Zonja Mao tha në një konferencë për shtyp se ishin komentet e saj mbi sovranitetin që përfaqësonin qëndrimin zyrtar të qeverisë së Kinës.

Deklarata e saj duket se ishte një përpjekje e Pekinit për t’u distancuar nga komentet e ambasadorit Lu dhe për të lehtësuar tensionin me Brukselin. Kina ka qenë “objektive dhe e paanshme” për çështjet e sovranitetit, tha zonja Mao.

LEXO EDHE:

Back to top button