Benfika kundër UEFA-s, fut në delegacion edhe të pezulluarin Prestiani
Pezullimi i përkohshëm i UEFA-s, ndaj Xhanluka Prestiani të Benfikës nuk ka qetësuar situatën para ndeshjes së kthimit ndaj Real Madrid. Përkundrazi, e ka përkeqësuar atë.
Benfika ka apeluar menjëherë vendimin duke e cilësuar të padrejtë, ndërsa ka menduar që të sfidojë UEFA-n në mënyrë të hapur,
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat portugeze, edhe pse nuk mund të aktivizohet në këtë ndeshje, asgjë nuk e pengon argjentinasin që të jetë me ekipin në udhëtimin drejt Madridit dhe të jetë i pranishëm si spektator në “Bernabeu”.
Ndaj në klub kanë vendosur që ai të udhëtojë drejt Madridit dhe të jetë pjesë e delegacionit në tribunën VIP të stadiumit. Një qëndrim i qartë kundër UEFA-s por edhe provokim ndaj pretendimeve të madrilenëve që e akuzuan për thirrje raciste. Edhe vetë argjentinasi, nuk do të qëndrojë duarkryq.
Ai ka vendosur t’i drejtohet UEFA-s, FIFA-s dhe një gjykate civile ne Portugali me një akuzë kundër Vinicius dhe Mbape. Sipas tij, ata kanë dëmtuar imazhin e lojtarit duke shpifur pasi nuk ka bërë kurrë fyerje raciste ndaj Viniciusit, ndaj do i paditë ata duke kërkuar dënimin e tyre dhe dëmshpërblim.








