Një grup studentësh u mblodh para selisë së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Beograd duke kërkuar qasje në listën zgjedhore. Ata njoftuan se duan qasje në listën e votuesve për ta kontrolluar atë, pasi që organizata vendëse dhe evropiane që vëzhguan zgjedhjet në Serbi më 17 dhjetor shprehën dyshime për rregullsinë e tyre. Ndërkohë gati 40 demonstrues u arrestuan gjatë një proteste të koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” një ditë më pare në Beograd, pasi një grup personash të maskuar tentuan të hyjnë në Kuvendin e Beogradit. Koalicioni “Serbia kundër dhunës” tha se incidentet janë shkaktuar nga “huliganët e dërguar nga qeveria”. “Autoritetet përdorën dhunën për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, tha SPN-ja. Opozita serbe ka protestuar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke pretenduar se ato janë vjedhur nga Partia Progresive Serbe në pushtet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga jashtë vendit. /Alsat.mk
595 1 minute read








