Boksieri shqiptar Alban Beqiri ka siguruar gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Boksit, në peshën 71kg, turne që po zhvillohet në Beograd (Serbi). Ai ka triumfuar në mbrëmje ndaj jordanezit Zeyad Eashash me rezultatin 4-1, duke shkruar historinë e boksit shqiptar, pasi bëhet boksieri i parë kuqezi që arrin të shkojë mes 4 më të mirëve në botë dhe të duelojë për medalje.
Katër gjyqtarë i dhanë fitoren Beqirit (30-27, 30-27, 29-28, 29-28), ndërsa njëri ia dha pikët për rivalin nga Jordania (28-29). Për Beqirin është fitorja e katërt e tij në këtë botëror, duke treguar gjithnjë aftësi të mrekullueshme: Mbron mjaft mirë dhe godet fort kundërshtarin në trup e kokë.
Në këtë botëror, në turin e parë, Beqiri fitoi ndaj kenianit Boniface Maine dhe më pas eliminoi lituanezin Saimonas Banys (turi i dytë). Në sfidën e tretë ai mundi Eduardo Bekford të Panamasë, ndërsa sot triumfoi ndaj jordanezit Zeyad Eashash në çerekfinale. Falë këtij suksesi, Beqiri hyn mes 4 boksierëve më të mirë në botë në peshën 71kg dhe tashmë është në zonën e medaljeve.








