Berbok: Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë “mollë sherri”

Berbok: Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë “mollë sherri”

Gazetar: Lluka Andreev

Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok nga Shkupi, shprehu optimizëm se deri në dhjetor të këtij viti do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe procesi i negociatave të vendit me Bashkimin Evropian do të vazhdojë. Berbok porositi që çështja e ndryshimit të Kushtetutës të jetë mbipartiake dhe të krijohet koalicion që do të jetë i nevojshëm për të siguruar shumicë prej dy të tretave për të gjitha çështjet e tjera që do të ndikojnë në negociatat për anëtarësim në Union. Ajo shtoi se hapat e rëndësishëm kërkojnë kapital politik.

“Ndryshimi i negociuar i Kushtetutës nuk duhet të bëhet mollë sherri për grindje në garën e popullaritetit në anketat apo garën se cila parti mund të ketë një lloj avantazhi në fund të zgjedhjeve”, tha Analena Berbok – Ministre e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, konsideron se debati për amendamentet kushtetuese tani po zhvillohet për shkak të interesit partiak-politik të opozitës për të ardhur në pushtet dhe ai duhet të kalojë tek qytetarët. Sipas tij, qytetarët kur të shohin formulimin e ndryshimeve kushtetuese do të hedhin poshtë tezat e opozitës.

“…duke i frikësuar qytetarët për të ardhmen e tyre, duan të bëjnë karrierë politike. Nuk është e drejtë ndaj votuesve të vet, nuk është e drejtë ndaj qytetarëve të tyre, prandaj jam optimist dhe prandaj mendoj se Mickoski do të përfundojë i mundur, sepse kur qytetarët t’i shohin formulimet, do ta kuptojnë se kanë qenë të gënjyer”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ministrja e Jashtme gjermane në kuadër të vizitës së saj në vend zhvillon takime me krerët shtetërorë, por edhe me deputetë të opozitës. Ajo përcolli mesazhin se ia vlejnë kompromiset demokratike, dhe Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë me vendet e Ballkanit Perëndimor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button