Besimtarët në Shqipëri e Kosovë, kanë vërshuar xhamitë prej orëve të mëngjesit për të falur namazin e Bajramit

Besimtarët në Shqipëri e Kosovë, kanë vërshuar xhamitë prej orëve të mëngjesit për të falur namazin e Bajramit

Gazetar: Suad Bajrami

Mijëra myslimanë prej orëve të para të mëngjesit janë dyndur nëpër xhamitë e rajonit për të falur namazin e Kurban Bajramit, një ndër festat më të mëdha të komunitetit. Në Kosovë, manifestimi qendror është mbajtur në Prishtinë, respektivisht në Xhaminë e Madhe. Krahas programit solemn dhe porosive për paqe, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava me këtë rast i bëri thirrje shtetit që të ndezë alarmin dhe të zbatojë politika pro natalitetit.

“Vatani nuk mbrohet vetëm me armë, por mbi të gjitha mbrohet me popullsi të shëndoshë, të arsimuar dhe të ndërgjegjshme. Në këtë kuptim nataliteti është një lidhje e fortë strategjike për mbijetesën kombëtare, sidomos në rajonet ku shqiptarët janë pakicë ose të rrezikuar nga asimilimi. Në këto kushte rënia e natalitetit është një alarm kombëtar. Shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe të mbështesë familjet me politika pro natalitetit, siç janë punësimi i dy prindërve, lehtësimet ekonomike mbështetja për nënat shtatzënat, kujdesi për fëmijët etj”, tha Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Bajrami po festohet dhe në mbarë Shqipërinë. Besimtarët kanë mbushur sheshet e qyteteve. Ceremonia qendrore e faljes së namazit është zhvilluar në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, ku u mblodhën mijëra besimtarë. Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu dërgoi porosi që festa të mos shihet si ditë pushimi e konsumi, por si ditë adhurimi e reflektimi.

“Në një kohë kur sfidat ekonomike, sociale dhe shpirtërore prekin shumë familje. Bajrami vjen si një dritë shprese. Le të mos e shohim thjeshtë si një ditë pushimi e konsumi, por si ditë adhurimi. Njëkohësisht ashtu siç është vërtetë, si një mundësi për të rindërtuar lidhjet tona me zotin e gjithësisë dhe me njeri tjetrin. Të duam njëri tjetrin për hir të Zotit, le ta ndajmë sofrën tonë, por edhe buzëqeshjen. Të shkojmë te të vetmuarit, te të moshuarit. Tek ata që s’kanë mundësi për të festuar. Sepse kështu jemi muslimanë të mirë, të ndershëm, jo vetëm në emër”, tha Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ceremoni për Kurban Bajramin, gjithashtu janë mbajtur edhe në qytete tjera të rajonit ku banojnë myslimanë. Festa, krahas lutjeve në xhami, karakterizohet edhe me vizita te të afërmit, dhuratave për fëmijë dhe therjes së kurbanit në shenjë të sakrificës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button