Bestselleri për koronën zbulon se cilat ishin gabimet më të mëdha në përballjen me pandeminë

Ish-ministri austriak i Shëndetësisë, Rudolf Anshober, është bërë autor i një vepre publicistike mbi koronavirusin e quajtur thjesht “Pandemia”.
Në libër, ai analizon politikat e ndjekura gjatë luftës kundër koronavirusit, duke i kombinuar me përshkrimet e fatit të disa pacientëve. Libri i politikanit 61-vjeçar të Gjelbër kryesoi listën e librave më të shitur austriakë në prill.
“Kjo është befasuese, por fakti është se pandemia ka ndryshuar gjithçka”, tha Anshober për DPA. Suksesi i librit tregon interesin e madh publik për periudhën e menaxhimit të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
Ish-ministri beson se një nga gabimet kryesore të politikanëve ishte përpjekja për të barazuar ata që ishin skeptikë për vaksinimin dhe kundërshtarët e vaksinimit.

Në libër thuhet se nga çdo 30% austriakësh të pavaksinuar, vetëm një në tre janë kundër vaksinës dhe pjesa tjetër presin informacione dhe sqarime shtesë. Qëndrimi i pakujdesshëm që është përhapur mes njerëzve duke pasur parasysh numrin në rënie të të infektuarve është një çështje delikate, tha Anshober.
Do të jetë edhe më e vështirë të paralajmërohen njerëzit për rreziqet e mundshme dhe të dalin nga ky “humor i shkujdesur”, tha ai, duke iu referuar fushatës së vaksinimit të vjeshtës. Anshober beson se do të ishte ideale të zbatohej një strategji e përbashkët evropiane që nuk do të bazohet në një sërë masash të ndryshme.
“Njerëzit nuk i besojnë politikës dhe politikanëve nëse zbatohen rregulla të ndryshme në zonat fqinje, si Bavaria, Republika Çeke dhe Salzburgu. Vaksinimi i detyrueshëm që pritet në Austri është i pashmangshëm nëse deri në shtator nuk kemi një shkallë vaksinimi 90 për qind”, tha ish-ministri i Shëndetësisë.