Bexheti në listë të zezë, Gjykata Supreme do të kërkoj përgjegjësi
Bexheti në listë të zezë, Gjykata Supreme do të kërkoj përgjegjësi

Gjykata Supreme mund të nisë kërkesë për vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatësit Enver Bexheti të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi në listën e zezë për korrupsion. Në situatë kur Këshilli Gjyqësor është pa kryetar dhe në procedurë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, Gjykata Supreme duket se do të vë para aktit të kryer këshillin. Nuk përjashtohet mundësia që në seancën e parë të radhës, Supremja të nisë kërkesë për përgjegjësinë e Bexhetit.
“Një të drejtë të tillë e ka edhe Gjykata Supreme e garantuar në nenin 37 të Ligjit për gjykatat ku thuhet se në një seancë të përgjithshme, Gjykata Supreme mund të sjell kërkesë për nisjen e procedurës e cilat duhet të konstaton përgjegjësinë e gjykatësit”, njoftojnë nga Gjykata Supreme.
Këshilli Gjyqësor si duket do të ndjekë rrugën ligjore të vërtetimit të përgjegjësisë, duke lënë të kuptohet kështu se nuk do të shkohet me veprim konkret me shkarkimin e gjykatësit siç ishte rasti me gjykatësin Naqe Georgiev. Vendimi i DASH-it e zezë mbi të bardhë përmes të cilit argumentohen të gjitha veprimet e Bexhetit në raport me lëndën kundër Mijallkovit, duket se nuk e ka bindur mjaftueshëm këshillin për të vepruar “exoficio” me shkarkim.
“Shprehim keqardhje serioze për vendosjen e gjykatësit në “listën e zezë”. Potencojmë angazhimin tonë për të luftuar çdo lloj korrupsioni në sistemin gjyqësor. Për këtë arsye veçse kemi marrë më masa konkrete në përputhje me ligjin”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.
Enver Bexheti ishte emri që jo pak herë u lakua nëpër raportet ndërkombëtare, në kuptimin negativ. Veprimet e tij për mbajtjen e lëndëve në sirtarë u përmenden edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit por edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Për veprimet e tij të cilat e shpëtuan ish drejtorin e shërbimit sekret nga burgu, në nëntor të vitit kaluar Bexheti u gjobit nga Këshilli Gjyqësor me 20 për qind për gjashtë muaj.
Bexheti duke shfrytëzuar lidhjet politike tentoi të bëhet gjykatës suprem, por përpjekja e tij nuk kaloi në Këshillin Gjyqësor, ku më pas në formë hakmarrje krahu që e mbështeste Bexhetin për gjykatës suprem, organizoi puç kundër ish kryetares Vesna Dameva. Bexheti aktualisht është gjykatës në Apel. Në shkallë të dytë ai kishte udhëhequr lëndët më të mëdha kundër ish funksionarëve të dënuar, ndër to rastin “Target-Fotesa”, ndërsa për zvarritjen e lëndës “Thesari” e kishte mbështetjen edhe të koleges së tij Lirije Elezi. Ruajtja në sirtarë e këtyre veprave kishte bërë që MIjallkov pavarësisht se i dënuar me shumë vite burg për disa vepra, të qëndronte në liri dhe të tregtonte me drejtësinë. /Alsat.mk