Biden dhe Scholz sot me daklarata për Rusinë dhe Ukrainën
Biden dhe Scholz sot me daklarata për Rusinë dhe Ukrainën
Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Predhat e artilerisë në rajonet lindore të Ukrainës dhe urdhrat e separatistëve pro-rusë për evakuimin e menjëhershëm të civilëve nga ato zona, kanë përflakur edhe më shumë situatën teksa Washingtoni është i bindur se Moska po e rrethon ngadalë fqinjin e saj, shkruan Alsat.
Presidenti amerikan Joe Biden shprehet i bindur se Putin e ka ndarë mendjen dhe thjesht i duhet një pretekst.
“Presidenti rus duket e kishte marrë një vendim për të sulmuar Ukrainën. Megjithëse ekziston ende një hapësirë për diplomaci, ne kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë këtë vend në javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha presidenti amerika, Joe Biden.
Ai tha se SHBA-ja beson se Rusia mund ta ketë në shënjestër edhe kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, i banuar me mbi 2.9 milionë njerëz.
“Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj. Perëndimi është i bashkuar dhe i vendosur. Ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse ajo pushton më tej Ukrainën. SHBA-ja dhe aleatët e partnerët tanë do të mbështesin popullin ukrainas”, u shpreh Biden.
Nga ana tjetër Rusia ka kryer testet e fundit të raketave balistike hipersonike, raketave lundruese dhe raketave me kapacitete bërthamore, si pjesë e stërvitjeve “të planifikuara”,. Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri bjellorus Aleksandar Lukashenka, kanë shikuar stërvitjet nga Kremlini.
Kancelari gjerman Olaf Sholc në konferencën e Sigurisë në Munih ka thënë se Europa kërcënohet nga lufta. Nuk ka asnjë justikim, tha Scholz, që të vendosen 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas dhe theksoi premtimin se Gjermania do të mbrojë partnerët e aleancës nga sulmet.
“Në Europë kërcënohemi sërish nga lufta. Dhe rreziku për këtë nuk ka kaluar aspak. Do të ketë kosto të lartë për Rusinë çdo shkelje tjetër e integritetit territorial të Ukrainës, si nga ana politike, ekonomike dhe gjeostrategjike”, tha Olaf Sholc, Kancelar gjerman.
Rusia vazhdimisht mohon se ka plane për pushtimin e Ukrainës dhe thotë se NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj. Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës./ Alsat.mk








