Biden do të emërojë Lloyd Austin si shef të Pentagonit

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden do të emërojë gjeneralin në pension Lloyd Austin si sekretarin e tij të mbrojtjes, raportojnë mediat amerikane.

Nëse konfirmohet nga Senati, gjenerali Austin do të jetë afrikano-amerikani i parë që udhëheq Pentagonin.

Gjeneral Austin, udhëhoqi Komandën Qendrore të SHBA-së gjatë administratës së Obamës, ndërsa kanë kaluar më pak se shtatë vjet që kur ai doli në pension.

Vendimi i raportuar i Biden vjen dy javë pasi ai njoftoi anëtarët e tjerë të vjetër të ekipit të tij të sigurisë kombëtare.

67-vjeçari Austin pritet të hasë në rezistencë gjatë procesit të konfirmimit në Senat për arsye të karrierës së mëparshme si ushtarak. Shumë në Uashington këmbëngulin për një ndarje të qartë mes udhëheqjes civile dhe asaj ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes. Megjithëse shumë shefa të mëparshëm të Pentagonit kanë shërbyer edhe në ushtri për pak kohë, vetëm dy prej tyre, George C. Marshall dhe James Mattis, kanë qenë ushtarakë karriere.

Gjenerali Austin duhet të marrë miratim nga Kongresi për të shërbyer si shef i Pentagonit. Kjo bëhet për të ruajtur karakterin civil të udhëheqjes së Departamentit të Mbrojtjes.

Austin u diplomua nga Akademia Ushtarake Westpoint në 1975 dhe ka shërbyer si ushtarak për 41 vjet.

Presidenti i zgjedhur Biden e ka njohur gjeneralin që në periudhën kur udhëhiqte trupat amerikane dhe të koalicionit në Irak dhe Biden ishte nënpresident.

Austin shërbeu në 2012 si i pari afrikano-amerikan që bëhej zëvendës shef i shtabit të ushtrisë, Një vit më pas, ai u vu në krye të Komandës Qendrore Amerikane ku filloi të hartonte dhe zbatonte strategjinë ushtarake amerikane për të sprapsur ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Ai doli në pension në 2016, por duhet që Kongresi t’i japë leje atij për të marrë në dorë drejtimin e Pentagonit, pasi nuk kanë kaluar ende shtatë vjet që kur ai la uniformën ushtarake. Një leje e tillë u dha edhe në rastin e zotit Mattis, general i marinës në pension, i cili u emërua nga Presidenti Trump si shef i Pentagonit.

LEXO EDHE:

Back to top button