Turqia urdhëron ndalimin e qindra ushtarakëve, të dyshuar për lidhje me Gylen

Turqia ka urdhëruar ndalimin e personelit ushtarak prej 304 personash, në një operacion që synon mbështetësit e Fethullah Gylen, për të cilin Ankaraja thotë se ishte pas një grushti shteti të dështuar në 2016-ën.

Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu të cituar nga Reuters, operacionet që synojnë rrjetin e klerikut me qendër në SHBA, Fethullah Gulen kanë vazhduar prej katër vjetësh, që nga përpjekja për grusht shteti në korrik të 2016-ës, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz. Por Gulen mohon përfshirjen në përpjekjen për grusht shteti.

Operacioni i së martës u iniciua nga zyra e prokurorit në provincën bregdetare perëndimore të Izmirit dhe u zhvillua në 50 provinca.

Të dyshuarit, përfshirë pesë kolonelë dhe 10 kapitenë, shumica prej tyre në detyrë aktive, besohej se ishin në kontakt me njerëzit që kishin lidhje me rrjetin e Gulenit.

Që nga përpjekja e grushtit të shtetit, rreth 80,000 njerëz janë në gjyq dhe rreth 150,000 nëpunës civilë, personel ushtarak dhe të tjerë janë shkarkuar ose pezulluar. Më shumë se 20,000 njerëz u dëbuan nga ushtria turke.

 

LEXO EDHE:

Back to top button