Biden do të prezantojë task-forcën për koronavirusin javën tjetër

Demokrati Joe Biden ka thënë se javën tjetër do të prezantojë një task-forcë të këshilltarëve për të zhvilluar planin e tij për luftim të pandemisë së koronavirusit.

- Advertisment -

Biden, i cili është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale më 7 nëntor dhe ka bërë fushatë me premtimin për qasje më agresive për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, do të njoftojë për krijimin e task-forcës më 9 nëntor.

Në fjalimin e tij të fitores më 7 nëntor, ai ka thënë se këshilltarët “do të marrin planin për koronavirus Biden-Harris dhe do ta shndërrojnë atë në plan veprimi nga 20 janari i vitit 2021” – ditën kur nisin zyrtarisht detyrën ai dhe nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris.

Biden ka shtuar se nuk do të kursejë asnjë përpjekje për ta luftuar pandeminë.

Përgjatë fushatës, Biden është fokusuar shumë në të kritikuarit e presidentit Donald Trump për siç ka thënë ai dështimin e politikave të liderit aktual për të ndalur valën e koronavirusit.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar rekord të rasteve të reja me koronavirus më 6 nëntor, 132,000, duke e çuar numrin total të të infektuarve në gati 10 milionë.

Më shumë se 236,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavorus, një numër që është rritur për gati 1,000 pothuajse çdo ditë.

“Secili që është përgjegjës për kaq shumë vdekje nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara”, pati thënë Biden gjatë debatit të dytë presidencial kundër Trumpit më 22 tetor.

Biden ka thënë se do ta bëjë të detyrueshme vendosjen e maskës në zonat e prekura më keq dhe se do të konsiderojë izolime.

Trump në anën tjetër ka bërë fushatë me zotime për të hapur ekonominë.

LEXO EDHE:

Back to top button