Biden shpall zyrtarisht emërimet për kabinetin e tij

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden paraqiti të martën emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij, që përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.

Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Zotin Biden dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.

Zoti Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden. Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.

Zoti Biden tha se përzgjedhja nga e tij e zotit Antony Blinken, do të rikthejë moralin dhe besimin në Departamentin e Shtetit, që përgjigjet për marrëdhëniet diplomatike të vendit.

Ndër emërimet e tjera për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, si ambasadore amerikane në OKB dhe Jake Sullivan si këshilltar i sigurimit kombëtar. Zonja Thomas-Greenfield, afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama.

Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.

Avril Haines u emërua drejtore e inteligjencës kombëtare, gruaja e parë që do të shërbente në një rol të tillë. Ajo ka qenë nëndrejtore e CIA-s nga viti 2013 në 2015 dhe gjithashtu zv / këshilltare e sigurimit kombëtar.

Janet Yellen, ish kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit.

Megjithëse nuk janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar zotin Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës, pasi lindën antagonizma nga politika e Presidentit Trump “Amerika, e Para”. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden është zotuar ta rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Teherani rifillon respektimin e termave; rikthim në Paktin e Parisit për klimën; anulimin e planeve për daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anulimin e rregullores ekzistuese që nuk lejon mbështetjen me fonde federale të grupeve bamirëse që diskutojnë abortin. Këto masa do të anulonin politika të administratës Trump dhe disa prej tyre pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt pas inaugurimit të residentit të ardhshëm më 20 janar.

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button